Kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ish-ministri i diasporës, Valon Murati ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj e ka të qartë se marrëveshja aktuale e demarkacionit me Malin e Zi duhet të dërgohet në Kuvend për t’u rrëzuar.
Murati në një postim në Facebook ka shkruar se marrëveshja aktuale me Malin e Zi duhet të rrëzohet në Kuvend për t’u krijuar kontesti juridik me shtetin fqinj.
“Demarkacioni me Malin e Zi do të mbetet një ndër kryetemat politike dhe shoqërore në Kosovë deri në gjetjen e zgjidhjes adekuate për këtë problematikë.
Kryeministri Haradinaj kishte kërkuar dje propozime e rekomandime. Po besoj se edhe ai e ka të qartë, që në situatën e tanishme vetëm një është rruga. Marrëveshja aktuale duhet të dërgohet sa më shpejtë në kuvend, të rrëzohet aty dhe kështu të krijohet kontesti juridik me Malin e Zi”, ka shkruar Murati.
“Vetëm pas këtij hapi ka bazë që të kërkohet nga Mali i Zi rinegocim të marrëveshjes apo dërgim të kësaj çështjeje në arbitrazh ndërkombëtar”, ka shkruar shefi i LB-së, derisa ka shtuar se krijimi i komisionit të ri është humbje kohe dhe pa efekt.
“Përndryshe rruga krijimi i komisionit të ri, jo vetëm që është humbje kohe, por nuk prodhon asnjë efekt juridik në raport me Malin e Zi. Sa më shumë që qeveria vonohet me dërgimin e marrëveshjes në kuvend, aq më shumë do t’i rrisë tensionet e brendshme politike dhe do t’i dënojë qytetarët e vendit me zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave”, ka shkruar Murati.