Veseli premton investim prej 30 milionë euro për ujitjen e tokave të Rahovecit

“Zotohem para jush se do t’i qëndrojmë pranë qytetarit të Kosovës. Do t’i qëndrojmë pranë në veçanti fermerëve të Rahovecit dhe gjithë punëtorëve, për një jetë më të mirë në vendin e tyre”. Kështu tha sot para qytetarëve të Rahovecit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim elektoral me qytetarë.

Në këtë tubim u prezantua edhe platforma qeverisëse e PDK-së në Rahovec për katër vjetët e ardhshme.

Veseli tha se PDK-ja do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Komunën e Rahovecit në potencialet që ka kjo komunë.

Në veçanti ai u ndal te bujqësia, ku premtoi rritje të mbështetjes për fermerët, duke rritur subvencionet dhe duke mbrojtur produktet vendore dhe siguruar shitjen.
“Gjatë mandatit të ardhshëm do të nisim projektin 30 milionësh që tokat bujqësore të Rahovecit të ujiten nga Hidrosistemi i Radoniqit”, premtoi Veseli.

“Nuk do të ketë mjekë të papunë në Kosovë, sepse do të bëjmë reforma të thella në sistemin tonë shëndetësor. Do të investojmë në edukim, për një arsimim bazuar në nevojat e tregut. Në çdo komunë që do të drejtohet nga PDK-ja, qytetarët do ta dinë se ku investohet paraja publike, sepse do të punojmë në transparencë të lartë”, theksoi Veseli.

Nga ana tjetër, kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili është kandidat edhe për një mandat, shpalosi programin e tij për qeverisjen e ardhshme.

“Janë bërë investime të mëdha në infrastrukturë, në rrugë, kanalizime, ndriçim dhe në bujqësi e shumë sfera tjera. Por, do të investohet edhe më tutje në shumë projekte për komunën tonë. Do të investojmë në shkolla dhe në shëndetësi. Komuna jonë ka qenë më transparentja në punën e saj dhe këtë e kanë thënë shumë monitorues. Kështu do të vazhdojmë të jemi edhe në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Vehapi.

Në këtë tubim janë prezantuar edhe kandidatët e PDK-së për asamblenë komunale.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme