Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka vizituar të hënën lagjen “Kurrizi në Dardani”, me ç’rast ka prezantuar planin e tij për fasadimin e objekteve dhe rregullimin e hapësirave publike.
Banorët e lagjes i kanë shprehur Abrashit pakënaqësinë e tyre me mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe trajtimin e mbeturinave.
Abrashi ka thënë se në Prishtinë do të aplikohet një model nga një komunë e Kosovës, e cila ka gjetur zgjidhje për trajtimin e mbeturinave me përkrahjen e Qeverisë së Japonisë.
Ai ka thënë se në një ditë të veçantë do të prezantohet i gjithë projekti për pastrimin, grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave në kryeqytet.
Abrashi është zotuar për rregullimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve në “Dardani” dhe lagjet tjera të Prishtinë, në mënyrë që të krijohet mobilitet më i lehtë për qytetarët.
Kandidati i LDK-së për Prishtinën, ka prezantuar planin për rregullimin e tunelit në Kurriz, në të cilin është punuar për katër vite dhe punët kanë mbetur në gjysmë.
Për nevojat e kësaj lagjeje Abrashi ka thënë se do të ndërtohet një treg i vogël, ku përparësi do të kenë prodhimet vendore, ndërsa për fëmijët e kësaj zone do të ndërtohen kënde lojërash.
Sa i përket sigurisë publike, ai ka thënë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të bashkëpunojnë me komunitetin për të rritur sigurinë në gjithë zonën.
Banorët e “Dardanisë” janë ankuar se janë të ngufatur nga komunikacioni, pasi që kanë vetëm tri hyrje në lagje dhe nuk kanë qasje në rrugën regjionale që lidh Veternikun me rrugën regjionale për Mitrovicë.
Abrashi është zotuar se së bashku me ekspertët e ekipit të tij do të gjejë zgjidhje për qasjen e banorëve të Dardanisë në më shumë rrugë.