Komisioni i sapoemëruar shtetëror për shënjimin e vijës kufitare është në pritje të udhëzimeve dhe kompetencave nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kryesuesi i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, tha për Radio Evropa e Lirë se komisioni i ri, si punë të parë do ta ketë shqyrtimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por edhe do t’i analizojë të gjitha raportet që janë bërë deri më tash nga komisioni paraprak.
“Problemi është se ne presim që Qeveria të na delegojë kompetenca shtesë ose punë shtesë. Përndryshe, ju e dini që komisioni paraprak e ka përgatitur një raport dhe nëse Qeveria vlerëson tash se ne duhet të marrim në dorë atë raport, ta shikojmë, ta analizojmë e të nxjerrim konkluzione të caktuara, atëherë ne presim që ketë kërkesë Qeveria të na e bartë në mënyrë zyrtare”, tha Bulliqi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se puna e deritanishme për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është bërë në mënyrë të gabuar, dhe sipas tij, kjo çështje duhet rregulluar.
Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se kryeministri Haradinaj, pas hapit të parë për formimin e komisionit të ri, është duke i shqyrtuar mundësitë për veprimet e ardhshme dhe kompetenca që do t’i ketë ky komision.
“Hapi i parë tashmë është kryer për fillimin e një procesi të ri. Rreth kësaj teme Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Haradinaj, mbetet të studiojë të gjitha modalitetet se çka do të behet në të ardhmen. Mund t’ju them se procesi nuk do të prolongohet. Kjo çështje do të marrë një dinamikë të shpejtë. Se çka do të bëhet si hap i radhës janë duke u studiuar të gjitha modalitet”, tha Matoshi.
Kryeministri Ramush Haradinaj, që në mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës, shkarkoi Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, që udhëhiqej nga Murat Meha.
Kryesuesi i ri, Shpejtim Bulliqi thotë se kriteret të cilat janë zbatuar për matjen dhe përcaktimin e vijës kufitare kanë qenë të gabuara dhe ato duhet të rishikohen.
“Ato kritere kanë prodhuar një rezultat i cili faktikisht po del në kundërshtim me realitetin praktik. Këto angazhime shtesë, nëse na krijohet hapësirë dhe mundësia nga ana e Qeverisë, ne jemi të gatshëm qysh nesër të hyjmë në proces të punës”, tha Bulliqi.
Ai theksoi po ashtu se komisioni i ri nuk do të bëjë ndonjë punë të veçantë, por se do të bazohet në rregullat në fuqi dhe kërkesat e Qeverisë.
“Do të analizojmë të gjitha aspektet, edhe ato të së Drejtës Ndërkombëtare, aspektet e kritereve, edhe mund t’i përgatisim Qeverisë një raport apo vlerësim apo çfarëdo që ajo kërkon. Po prapë mbetet në kompetencat e Qeverisë se kah duhet ta orientojë zhvillimin e procesit”, tha Bulliqi.
Nga ana tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar që institucionet të punojnë në përmbushjen e kritereve për çështjen e liberalizimit të vizave.
“Siç është thënë edhe në propozimin legjislativ të Komisionit Evropian në muajin maj të vitit 2016, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është kusht për liberalizimin e vizave”, thuhet në qëndrimet e Zyrës së BE-së në Prishtinë.
“Përderisa ne i njohim përpjekjet e bëra nga Kosova, tash është thelbësore që Kosova të përmbushë kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave, duke ecur përpara dhe të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit dhe t’i shtojë angazhimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e konsiderojmë këtë si përgjegjësi të përbashkët të Qeverisë dhe opozitës, që t’i përmbushin kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-s.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Atë kohë, parti partnere në Qeveri ishin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Tani, këto dy parti politike, njëra në Qeveri dhe tjetra në opozitë, mbajnë qëndrime të ndryshme lidhur me atë se a duhet të anulohet apo ratifikohet kjo marrëveshje.