465 fëmijë janë zhvarrosur nga varrezat e luftës në Bosnjë

Një total prej 456 nga 25,500 njerëzit e zhvarrosur nga varrezat e luftës deri më tani në Bosnjë dhe Hercegovinë, ishin fëmijë të moshës 17-vjeçare dhe më pak, tha Instituti për Persona të Zhdukur.

 

Ndër ta kishte nëntë foshnja që ishin më pak se një vjeç në kohën kur kishin vdekur.

“Amila Dzaferagiq ishte tremuajshe kur u vra së bashku me nënën e saj Besima. Eshtrat u zhvarrosën nga varri masiv Laniste në zonën e Kljucit. Nurka Carkiq dhe foshnja e saj e porsalindur u zhvarrosën nga një varr i përbashkët në Drvar”, tha zëdhënësja e Institutit për Persona të Zhdukur Lejla Cengiq.

Cengiq tha se në disa varre janë gjetur eshtra nga familje të tëra.

Ajo tha se një imam i quajtur Hasib Ramiq dhe familja e tij, përfshirë edhe gruan e tij Sefika dhe katër fëmijët e tyre, u zhvarrosën nga varri masiv Ljubina në komunën e Vogoscës.

“Muhamed Ramiq ishte 13 vjeç, Meliha ishte nëntë vjeçe, Ahmedi ishte katër vjeç dhe Amina ishte njëmuajshe. Amina është viktima më e re që është gjendur në territorin e Sarajevës. Imami Ramiq dhe familja e tij u vranë në zonën e Vogoscës në vitin 1993”, tha Cengiq.

Viktima më e re që është gjetur ishte një foshnjë që kishte vetëm një ditë që kishte lindur, anëtare e familjes Muhiq, e cila u varros më pas në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari.

Sadik Selimoviq, një hetues në Institutin për Personat e Zhdukur, tha se varri masiv Suha në zonën e Bratunacit, nga i cili u zhvarrosën 38 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, ishte një nga më të vështirët ku kishte punuar organizata.

“Ne gjetëm një nënë dhe dy fëmijët e saj në një qese të zezë, si dhe shumë fëmijë të vegjël dhe Zekira Begiq, e cila ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë. Puna në atë varr më ka sëmurur, sepse e gjithë kjo ka ndikuar shumë tek unë”, tha Selimoviq.

Cengiq tha se eshtra fetusi ishin gjetur brenda trupit të nënës shtatzënë Zekira Begiq.
“Ky nuk është rasti i vetëm që gjendet një nënë shtatzënë. Eshtrat e nënës shtatzënë Zemina Huseinoviq dhe një fetusi në barkun e saj u gjetën në fshatin Luka në zonën e Bratunacit”, tha ajo.

Rreth 7,000 njerëz mbeten ende të zhdukur nga lufta që përfundoi në vitin 1995. /BIRN

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme