Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës është i pamundur në këtë moment, shkaku i raporteve të partive, raporton KTV.
Ai ka kërkuar nga Mali i Zi durim dhe mirëkuptim. Por, homologu i tij, Sërgjan Darmanoviq, ka thënë se demarkacioni mes dy vendeve tashmë është punë e kryer.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të deklarojë se kufiri i Kosovës është deri në Kullë e Çakorr, por për Malin e Zi çështja e demarkacionit është punë e kryer.
Këtë ia ka thënë në takim ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, homologu i tij malazias, Sërxhan Darmanoviq.
Ministri i punëve të jashtme, që është edhe zëvendës-kryeministër i parë, Behgjet Pacolli, në vizitën e parë zyrtare në Malin e Zi i ka kërkuar shtetit fqinj mirëkuptim dhe durim.
Ai ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës tash për tash është i pamundur.
“Jemi të vetëdijshëm që u nënshkrua një marrëveshje, jemi të vetëdijshëm që ajo është aty, por do t’ju lusnim që të kemi parasysh se kemi vështirësi, meqë përbërja e Parlamentit tonë është shumë e vështirë dhe sigurisht ratifikimi i kësaj marrëveshjeje tash për tash është i pamundur.”
Por, shefi i diplomacisë së Malit të Zi ka thënë se çështja e kufijve është vërtetuar nga komisionet e të dyja vendeve dhe një komisioni ndërkombëtar, prandaj kjo çështje është e përfunduar.
“Unë besoj se institucionet kosovare do të marrin vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, duke u bazuar në atë se kufijtë që kanë ekzistuar në ish-Republikën Federative të Jugosllavisë janë vërtetuar nga dy Komisionet tona dhe një Komision ndërkombëtar. Siç kam deklaruar më herët, Demarkacioni mes dy vendeve është punë e kryer.”
Ndërkohë, Pacolli gjatë ditës ka zhvilluar takime edhe me presidentin, Filip Vujanoviq, kryetarin e Kuvendit, Ivan Brajoviq, si dhe me zv. kryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Zoran Pazhin.
Ndërkohë, për një të ardhme të afërt është paralajmëruar edhe vizita e vetë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Malin e Zi, por ende nuk ka të konfirmuar datë të saktë se kur do të ndodhë.