Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova është shprehur e zhgënjyer me mosmbajtjen e asnjë seance plenare të Kuvendit të Kosovës që nga konstituimi i tij.
Apostolova ka thënë se këtë zhgënjim të sajin do t’ia shprehë edhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, sapo ta takojë.
Shefja e Zyrës së BE-së ka deklaruar se arsyetimi i Kuvendit të Kosovës se grupet parlamentare ende nuk i kanë propozuar deputetët anëtarë të komisioneve, kryetarët dhe zëvendëskryetarët nuk e ka bindur shumë.
Sipas saj, deri më tani grupet parlamentare është dashur që ta mbyllin këtë çështje dhe Kuvendi të fillojë punën.
Ajo ka thënë po ashtu se Kosova nuk ka kohë për të humbur, sidomos në fushën e integrimeve evropiane, e që në këtë fushë sipas saj rol krucial ka vetë Kuvendi i Kosovës.
Këto komente Apostolova i ka bërë në një panel të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ku është diskutuar rreth zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe impaktit të saj në Kosovë./klankosova/