Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi ynë është i gatshëm për integrim në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim ai pret edhe mbështetjen e shtetit shqiptar.
Ai, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se janë dakorduar që dy vendet të kenë vendkalimet kufitare të zakonshme sikurse në shtetet e Bashkimit Evropian.
“Ndihemi mirë që në rrugëtimin e Kosovës në etapa, në s’kemi qenë kurrë vetë. Me së afërmi na ka qëndruar Shqipëria. Jemi të vendosur që rrugëtimin drejt BE ta bëjmë së bashku. Rrugëtimi ynë si shtet prapë është sfidë. E ndjejmë Shqipërinë dhe kryeministrin në përkujdesje ndaj Kosovës. Sot u dakorduam që kalimin kufitar ta kthejmë në kalim të zakonshëm si në vendet e BE-së, në mënyrë që të mos kemi pengesa administrative për qytetarët”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka mirëpritur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila do të mbahet më 27 dhe 28 nëntor në Shqipëri.