Ndërsa në Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë i kanë thënë “Zërit” se demarkacioni për ta është punë e kryer, porse do të tregohen të durueshëm dhe do të presin që Kosova ta përfundojë këtë çështje brenda një periudhe të arsyeshme
Komisioni i ri për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, i emëruar nga qeveria “Haradinaj”, tashmë ka nisur zyrtarisht punën. Kështu kanë bërë të ditur pjesëtarët e këtij Komisioni, të cilët kanë thënë se javën që vjen do të ketë angazhim edhe më të madh si në punën e kabinetit, ashtu edhe në terren.
Mirëpo, Ambasada e Malit të Zi, ka ripërsëritur edhe një herë se çështja e demarkacionit tashmë është punë e kryer.
Por pavarësisht kësaj, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka kërkuar që demarkacioni të anashkalohet si kusht për liberalizmin e vizave.
Njohësit e procesit të liberalizimit konsiderojnë se Kosova duhet të fokusohet më tepër te luftimi i krimit dhe i korrupsionit (kushti tjetër për viza) sesa të merret me rinegocimin e Marrëveshjes së Demarkacionit., meqë një gjë e tillë merr shumë kohë dhe zvarrit shumë procesin e liberalizmit të vizave