Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se mbrëmë një i burgosur, që po qëndronte për trajtim në QKUK, është arratisur.
Ai ka thënë se për këtë ngjarje do të japë përgjegjësi secili në bazë të detyrave që ka.
“Mbrëmë, një i burgosur, i dënuar me 30 vjet, është arratisur nga QKUK-ja – ku ishte për trajtim. Për këtë, kam kërkuar një raport të detajuar dhe masa të menjëhershme për kthimin e tij në vuajtje të dënimit. Ju siguroj se këto probleme kanë adresë dhe secili do të japë përgjegjësi për detyrat që ka”, ka thënë Tahiri në një postim në Facebook.
Ministri ka theksuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës, viteve të fundit, është përballur me parregullsi dhe probleme që kanë shkaktuar degradimin e tij, duke prodhuar kështu efektet e veta.
“Por, ju garantoj se do të arrij që Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë në nivelin e detyrës dhe të ketë menaxhim të mirëfilltë, që ia mundëson funksionimin sipas ligjit dhe standardeve më të mira ndërkombëtare”, ka përfunduar ministri i Drejtësisë.