Prishtina më në fund do ta ketë Ligjin e saj, proces ky që ka nisur në vitin 2008, si derivat i pakos së Ahtisaarit e i normuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Gazeta Express e ka siguruar këtë projekt ligj të Qeverisë ku tregohen në detaje se çka përfiton dhe cilat janë ndryshimet që do të bëhen në Kryeqytet. Si asnjëherë më parë, Kryetari i Prishtinës do t’i ketë dy nënkryetarë. Derisa Policia e Kosovës do ta ketë edhe një nëndegë të saj, policinë komunale në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradiaj të premten miratoi projektligjin për Prishtinë. Me këtë ligj rregullohet organizimi dhe funksionimi i Kryeqytetit të Republikës së Kosovës, i cili ka status të veçantë juridik sipas Kushtetutës së Kosovës.
Prishtina sipas këtij projektligji që pret miratimin në Kuvend, do të ketë spital dhe njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës. Pra, Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit.
Po ashtu, për herë të parë Kryetari i Kryeqytetit ka dy nënkryetarë të cilët e ndihmojnë Kryetarin në ushtrimin e kompetencave të tij, të cilët i emëron dhe i shkarkon vetë ai, shkruan Gazeta Express. Sipas këtij projektligji, Kryetari do të jetë vetë i nënti në këtë përbërje të stafit.
Kryetari mund të emërojë deri në tre këshilltarë, të cilët e këshillojnë në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij, të cilët i emëron dhe i shkarkon Kryetari. Në kuadër të stafit administrativ të Kryetarit bëjnë pjesë: shefi i kabinetit, asistenti administrativ dhe zyrtari i logjistikës.
Në mungesë të Kryetarit të Kuvendit, Nënkryetari i Kuvendit udhëheq mbledhjet e Kuvendit dhe Komitetit për Politikë dhe Financa.
Kryeqytetit të Republikës së Kosovës i jepet një grant shtesë në lartësinë jo më pak se 4% e grantit të përgjithshëm të komunave, të përcaktuar në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, nga buxheti i Kosovës për secilin vit fiskal. Kjo ndarje merr si referencë vetëm vlerën e grantit të përgjithshëm të komunave dhe nuk merret nga ky grant, por nga ndarjet e tjera të buxhetit qendror.
Kujtojmë se tash Ligji duhet të kalojë në dy shqyrtime në Kuvend për të hyrë në fuqi. Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë kohës sa ishte kryetar i Prishtinës kishte këmbëngulur në këtë ligj, deri në përplasje me Qeverinë që drejtohej nga Hashim Thaçi. Derisa as në mandatin e tij në krye të Ekzekutivit deri para disa muajsh, nuk arrit që ta miratojë këtë ligj.
Shikojeni skemën se cilat janë ndryshimet në Prishtinë sipas këtij Ligji: