Pala mbrojtëse e Naser Gurit, pronar i kompanisë “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku, i cili dyshohet për prodhimin pa licencë të gazit oksidul (N20), si pasojë e të cilit dyshohet që tre persona humbën jetën në QKUK muajin e kaluar, e ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Themelore në Prishtinë për dhënien prej një muaji paraburgim Naser Gurit.
Avokati mbrojtës i Gurit, Muhamet Shala, ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit. Shala ka dhënë një tjetër version nga Prokuroria e Gjykata rreth vdekjeve në QKUK. Gashi dyshimet për vdekjen e pacientëve i ka hedhur tek anestezioni.
Lidhur me deklaratat e Gashit, është deklaruar edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Nga ky institucion shëndetësor kanë thënë për Express, se puna është kryer me profesionalizëm. Thonë se sallat e operacionit në ditën kur kanë ndërruar jetë tre pacientë, janë udhëhequr nga ana e specialistëve me përvojë disavjeçare.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ju njofton se bazuar në informatat zyrtare në këtë rast nga informatat e Klinikës së Anestezionit, sallat e operacionit janë udhëhequr nga ana e specialistëve me përvojë disavjeçare, dy nga ta janë doktorë shkence”, thuhet në përgjigjen që zyra e SHSKUK-së, i ka dhënë të hënën Express-it.
E këto reagime të SHSKUK-së, vijnë pas deklaratave që Muhamet Shala, palë mbajtëse e Naser Gurit që prodhoi pa licencë gazin me të cilin e furnizoi QKUK-në, i cili të hënën për Express tha se Gazi Oksidul (N20), të cilin e prodhonte pa licencë klienti i tij, Naser Guri, nuk është shkaktar për vdekjet në QKUK, që ndodhën më 7 shtator të këtij viti. Gashi, për këtë punë, fajin ia ka hedhur anestezionit.
“…(.)… me keqardhje për viktimat, por unë jam i bindur ajo mund të rezultojë ose nga përdorimi i anestezionit apo nga diçka tjetër. Sipas bindjes sime në asnjë rrethanë nuk mund të qëndrojë vakti që ai gaz mund të jetë helmues dhe të shkaktoj lëndime vdekjeprurëse”, thotë avokati Gashi. Ai, po ashtu, ka thënë se në ditën kritike në sallat e operacionit, kishin qenë edhe 5 praktikantë.
E lidhur me këtë çështje për Express ka dhënë detaje zyra e drejtorit të Shërbimit Klinik dhe Spitalor të Kosovës.
Nga SHSKUK-ja, thonë se anesteziologët e kanë kryer me profesionalizëm punën e tyre dhe se në salla ka pasur specializantë e jo praktikantë.
“… në salla bashkë me specialistët, ka pasur edhe specializantë e jo praktikantë, pra doktor që janë në specializim në fushën e anesteziologjisë dhe fushave tjera varësisht nga lëmi ku janë kryer operacionet. Ekipi përcjellës në përbërje të teknikëve të anestezionit dhe instrumentareve kirurgjike”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së, dhënë të martën Expressit.