Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi nuk u ballafaquan edhe kësaj radhe me ish shefin e shërbimit sekret Sllobodan Bogoevski të cilin e kanë paditur për shpifje lidhur me mitmarrje në rastin “Magjar Telekom”. Edhe pse sot duhej të zhvillohej shqyrtimi kryesor mbi padinë e dy zyrtarëve të BDI-së, gjykatësi Nuhi Rustemi mungoi dhe seanca u anulua për pas zgjedhjeve, më 24 nëntor.
Avokati i Bogoevskit Valentin Zafirov dyshon se mungesa e gjykatësit mund të jetë në interes politik të Xhaferit dhe Ahmetit pasi procesi mund të ndikojë në karrierat e tyre. Ai paralajmëron procedura të tjera penale të cilat mund të ndikohen pikërisht nga ky proces.
VALENTIN ZAFIROV, AVOKAT I BOGOEVSKIT
“Gjykatësi nuk ishte në sallë, ndërsa arsyet nuk mund t’i komentoj. Është fakt se kjo lëndë përkundër peshës juridike ka edhe peshë politike pasi mund të reflektojë në karrierat politike të personave që padisin, por nuk dua ta besoj se gjykatësi e ka bërë këtë gjë qëllimisht. Fundja, ky proces nuk është vetëm padi kundër Sllobodan Bogoevskit. Procesi mund të ketë implikime të mëtutjeshme në ndonjë procedurë tjetër penale. Ali Ahmeti Musa Xhaferi nuk u paraqitën në gjykatë dhe nuk e arsyetuan mungesën e tyre dhe nuk e di nëse do të paraqiten fare”
Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi e padisin Bogoevskin për gjoja shpifje të thënë në Gjykatën e Nju Jorkut me të cilën ka theksuar se Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi kanë marrë mito prej 7 milionë e gjysmë eurosh, së bashku me ish kryeministrin Vllado Buçkovski, për t’i siguruar kompanisë “Telekom” një monopol në tregun telefonik.
Pa e komentuar faktin nëse kanë marrë vërtetë mito, Musa Xhaferi dhe Ali Ahmeti insistojnë që Bogoevski tu paguajë dëmshpërblim prej afro 90 mijë eurosh pasi thonë se deklaratën ai nuk e ka dhënë për Gjykatën e Nju Jorkut, por e ka dhënë në një zyrë noteri në Shkup, edhe pse as noteri e as avokati që gjoja kanë qenë prezent gjatë dhënies së deklaratës, nuk kanë pranuar të vijnë si dëshmitarë në favor të zyrtarëve të BDI-së.
Gjykatësi Nuhi Rrustemi në seancën e fundit, i refuzoi thuajse të gjitha provat e Bogoevskit, mes të cilave edhe aktvendimin e Gjykatës së Nju Jorkut në të cilën ish drejtorët e Telekomit kanë pranuar fajin dhe kanë pagar dëshmpërblim të majmë për miton që ua kanë dhënë zyrtarëve të Maqedonisë. Me këtë vendim mbrojtja tentonte të dëshmojë se drejtorët e Telekomit e kanë pranuar edhe deklaratën e Bogoevskit i cili me siguri pohonte se Ali Ahmeti, Musa Xahferi dhe Sllobodan Bogoevski e kanë ndarë kulaçin prej 7,5 milion eurosh në formë të mitos. Avokati i Bogoevskit Valentin Zafirov tërhoqi vërejtjen se derisa mediat merren me padinë e shpifjes, procesi tjetër i vërtetë mbi mitmarrjen ka gjasa të përfundojë si rast i vjetëruar dhe të mos ketë më vlerë. /Shenja