Konsumoni vaji ulliri, peshk dhe fibra në vend të produkteve si gjalpi, mishi i kuq dhe vaji i palmës për të luftuar diabetin.
Pra me sa duket edhe kundër kësaj sëmundje fiton dieta e “fshatarit” ose ndryshe dieta Mesdhetare, sipas një studimi të Shoqatës Italiane të Diabetologjisë (SID) të prezantuar në Kongresin e Shoqatave Evropiane për Studimin e Diabetit (EASD).
Studimi i SID i prezantuar në Kongres tregon se efektet riparuese të dietës mesdhetare në enët e gjakut, me një efekt parandalues ndaj komplikacioneve kardiovaskulare në personat e prekur nga diabeti.
“Por cilat ushqime duhet të privilegjojmë? Mbi të gjitha është mbreti i dietës mesdhetare, vaji i ullirit, që ka efekte specifike të mira mbi enët e gjakut dhe stimulon një proces mbrojtjeje ndaj arterosklerozës”, deklaron Giorgio Sesti, drejtor i këtij studimi, transmeton atsh.
“Nga ana tjetër personat me diabet duhet të përdorin shumë fibrat, pra perimet, bishtajore dhe sallatra. Fibrat kanë një efekt të dyfishtë. Nga njëra anë ngadalësojnë thithjen e sheqernave të thjeshta, që ndodhen nëpër ëmbëlsira, makarona dhe bukë, nga ana tjetër ngadalësojnë thithjen e yndyurnave duke dhënë një efekt kundër kolesterolit”, shpjegon Sesti.
Ndërkohë që ushqimet si mishi i kuq, gjalpi dhe djathi i stazhonuar janë të lejuar vetëm në sasi të limituara. Por nuk duhen konsumuar gjithashtu edhe ëmbëlsirat, patatet, picat dhe pijet me sheqer, ku këto të fundit përmbajnë fruktozë, që rrit sheqerin në gjak.