Ka filluar seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë për gjykimin e Fitim Thaqit, sulmuesit të kryeredaktorit të Insajderit, Vehbi Kajtazi. Rasti në të cilin Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit prej 30 ditësh për Fitim Thaqin, po gjykohet në dyer të mbyllura.
Seanca ka filluar rreth 20 minuta më parë, derisa Prokuroria i ka caktuar sot masën e ndalimit prej 48 orësh Fitim Thaqit.
Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten rreth orës 14:30 në qendër të Prishtinës, derisa po qëndronte në njërën prej lokaleve të kryeqytetit kosovar. Pas sulmit, kryeredaktori i Insajderit mori trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK.
Kajtazi deklaroi të shtunën se e ka identifikuar vet personin që e kishte sulmuar, teksa tha se “sulmi ndodhi për shkak të shkrimeve të mija”.
Për këtë sulm ndaj Kajtazit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur sot një protestë në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së fjalës.