Xhabir Zharku mund të kthehet në Kosovë pas 6 muajsh

Kanë mbetur edhe 6 muaj, deri te parashkrimi absolut (vjetërsim) i ekzekutimit të dënimit ndaj ish-kreut të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Në muajin maj të vitit 2018 Zharku pa problemin më të vogël mund të kthehet nga Suedia në Kosovë dhe organet e ndjekjes nuk kanë asnjë të drejtë për arrestimin e tij.

Ish- kreu i Kaçanikut, Xhabir Zharku ishte gjetur fajtor dhe ishte dënuar me tre vjet burgim  për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje.

Edhe pse ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës më 8 maj 2012, këmba e Zharkut nuk kishte shkelur në burg për asnjë minutë, pasi ai vazhdimisht kishte bërë kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, deri në arratisjen e tij për në Suedi.

Njohës të çështjeve të drejtësisë, thonë se arratisja e ish-kreut të Kaçanikut edhe një herë tregoi dështimin e organeve të drejtësisë në ekzekutimin e vendimeve për individë të caktuar.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se rasti Xhabir Zharku dëshmon situatat kur individë të caktuar i ikin drejtësisë, qoftë për shkak të mos efikasitetit të institucioneve shtetërore për të ekzekutuar vendimet gjyqësore ku në rastin konkret ka të bëj me ekzekutimin e dënimit me burg, por edhe të bishtnimit të vuajtjes së dënimit, duke shfrytëzuar privilegjet që i takojnë si shtetas i një shteti tjetër dhe mungesës së marrëveshjes për Ekstradim mes Kosovës dhe Suedisë.

“Kodi i Procedurës Penale në Kosovë ka përcaktuar parashkrimin e ekzekutimit të dënimit.  Në rastin e z. Zharku, Kodi i Procedurës Penale ka paraparë se koha e parashkrimit të ekzekutimit të dënimit është pesë vite nga koha kur  është lëshuar urdhër arresti ndaj z. Xhabir Zharku për të vuajtur dënimin e shpallur nga gjykata”, shprehet Miftaraj.

lumezi-1480116245-2153978_1507478317-7671864

     Ehat Miftaraj-IKD

Në bazë të informatave që disponon Instituti i Kosovës për Drejtësi, sipas Miftarajt, institucionet e drejtësisë në Kosovë, kanë afat deri në mesin e vitit 2018, për të ekzekutuar aktgjykimin e shpallur ndaj Zharkut dhe për ta dërguar të njëjtin në burg për të vuajtur dënimin.

“Nëse, shteti i Kosovës dështon për të kryer këtë obligim ligjor deri në mesin e vitit 2018, atëherë pas kësaj kohe edhe z. Zharku mund të kthehet lirshëm në Kosovë si qytetar i lirë  dhe krejt çka mund të bën pastaj shteti i Kosovës në raport me z. Zharku është vetëm të i uroj “mirëseardhje” të njëjtë sikurse i kishte uruar dhe znj. Leme Xhema, e cila edhe përkundër se ishte dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata në Kosovë, dënimi ndaj saj nuk ishte zbatuar asnjëherë dhe menjëherë pas parashkrimit të ekzekutimit të dënimit e njëjta kishte ardhur dhe kishte zhvilluar fushatë zgjedhore me qytetarë të Luginës së Preshevës në Kosovë”, thotë Miftaraj.

Edhe avokati Tahir Rrecaj, thotë se nëse kalojnë gjashtë vjet nga dita kur aktgjykimi është bërë i formës së prerë, atëherë bëhet parashkrimi absolut i ekzekutimit të dënimit, njëjtë si në rastin e ish-drejtoreshës  PTK-së, Leme Xhema.

“Si të kalojnë gjashtë vjet, Zharku mund të vijë dhe të rrijë këmbëkryq  me organet e drejtësisë dhe me bë muhabet pa asnjë pengesë apo frikë se mund të arrestohet. Njëjtë sikur Leme Xhema, edhe kjo është çështje ligjore dhe kur mbërrin parashkrimi absolut i ekzekutimit të dënimit, asnjë urdhër i  gjykatës nuk  ekzekutohet”, tha avokati Rrecaj.

tahir-rrecaj

  Avokati Tahir Rrecaj

Arbresh.info ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Drejtësisë se çfarë ka bërë për kthimin e Zharkut në Kosovë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Derisa parashkrimi absolut i ekzekutimit të dënimit të tij është afër, Zharku vazhdon jetën e tij normale në Suedi, duke mos i munguar ahengjeve familjare.

Kjo fotografi është bërë më 14 tetor 2017 (dy ditë më parë) në një ditëlindje, ku Zharku ishte i pranishëm.

zhakru

Ndryshe, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 21 prill 2011 e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave penale të  detyrimit dhe posedimit të paligjshëm të armës, dhe i kishte shqiptuar atij dënim me tre vjet burgim si dhe  gjobë prej 1,500 euro.

Ky vendim u vërtetua nga Gjykata Supreme e Kosovës më 8 maj 2012.

Zharku ishte dënuar për një rast të vitit 2006, kur një fermë e deleve në fshatin Rakaj të Ferizajt ishte privatizuar nga AKM-ja .

Sipas aktakuzës së prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë, mirëpo, pas kërcënimeve nga të akuzuarit Xhabir Zharku, Arsim Kolshi, Besnik Hasani dhe Nysret Cena, fituesit ishin detyruar të tërhiqen për ta fituar atë tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë./Arbresh.info/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme