Pas raundit të parë të zgjedhjeve të 15 Tetorit, shihet se ka ndryshime në verdiktin e popullit. Ata kësaj here kanë menduar ndryshe. Duke patur përpara disa kandidatë, si mundësi zgjedhjeje, qytetarët kanë vendosur që të japin votën e tyre edhe te dy partitë, që sapo kanë hyrë në arenën politike. Ku, dy partitë e reja, BESA dhe Aleanca Për Shqiptarët, janë para një hapi historik, që të përjashtojnë partinë BDI, e cila në 15 vitet e fundit ka udhëhequr me komunat shqiptare.
Në rast koalicionimi dy partitë e lartë përmendura kanë rastin që të fitojnë shumicat e komunave, në të cilat ndodhen në balotazh kundër BDI-së, e cila ka mbështetjen e partnerit të koalicionit Qeveritar, LSDM. Sipas analistëve, ky është rasti i fundit që të mundet e keqja e shqiptarëve. Ata mendojnë se gjatë kësaj periudhe deri në ripësëritjen e zgjedhjeve, dy partitë në fjalë, duhet të merren me veten e jo me elektoratin.
Sipas analistit Sulejman Mehazi, koalicioni i dy partive Besa dhe APSH është i patjetërsueshëm jo vetëm për të eliminuar nga komunat BDI-në, por edhe për të udhëhequr këto parti komunat.
“Nëse Bilalli dhe Sela, koalicionojnë atëherë përveç Kërçovës, asnjë komune tjetër nuk do jetë nën kthetrat e BDI-së. Kështu që pas dy javëve BDI-ja do mbetet parti lamtumirëse në Maqedoni”, deklaroi Mehazi, për Almakos.
Shpëtim Pollozhani, kryetar i shoqatës së të burgosurve dhe përndjekurve politik,shqiptar ka menduar se Besa dhe Aleanca nxorën një mësim nga zgjedhjet parlamentare por, sipas gjendjes aktuale, Pollozhanit i duket se te dyja partitë ngelen ne klasë falë egoizmit dhe mendjemadhësisë.
“Të dyja bashkë kanë edhe një mundësi që të mos e humbin vitin. Këto dy javë ato nuk duhet të merren me elektoratin. Ata, duhet të merren me vetveten. Si është e mundur që partitë shqiptare më lehtë merren vesh me partitë maqedonase se me partitë simotra”, deklaroi Pollozhani, për Almakos.
Sipas Pollozhanit, kuajt e Trojës (Memedi dhe Ostreni), u larguan nga Aleanca. Ai shton se tani ka ngelur vetëm një i tillë tek Lëvizja Besa, dhe sipas tij është kryetari ai i cili i pari duhet të jep dorëheqje pasi që i humbi zgjedhjet.
“Mos bashkëpunimi i Aleancës dhe Besës ia zgjat jetën BDI-së dhe agoninë shqiptarëve”, përfundoi Pollozhani.
Sipas informacioneve të para nga KSHZ, Lëvizja BESA, në rreth të dytë ka shkuar në 7 komuna duke filluar nga Komuna e Tetovës, Tearcës, Zhelinës, Çairit, Studeniçanit, Sarait dhe Likosvës. Kurse, Aleanca për Shqiptarët në balotazh është në 5 komuna, duke filluar nga Struga, Gostivari, Dibra, Vrapçishta dhe Bogovina.
Kujtojmë, që të dy partitë në balotazh do të parballen me Bashkimin Demokratik për Integrim, i cili theksuam se ka koalicion me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë.
Almakos.com