Për sot janë ftuar 42 gjyqtarë serbë ta japin betimin para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ata do të fillojnë punën në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë më 23 tetor, kur edhe pritet ta fillojnë punën Gjykata dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Nuk dihet akoma nëse gjyqtarët serbë do ta bëjnë betimin, pasi që ata kanë kërkuar të betohen me “status neutral”
Më shumë se 40 gjyqtarë serbë, të cilët kanë punuar në gjykatat paralele dhe të cilët janë zgjedhur me konkurs për t’u integruar në sistemin kosovar të drejtësisë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit në vitin 2015, janë ftuar ta japin betimin para presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Ata të martën duhet të betohen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në mënyrë që më 23 tetor vetëm një ditë pas zgjedhjeve për pushtetin lokal të fillojnë me punën në Gjykatën dhe në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës sipas sistemit kosovar të drejtësisë, shkruan tutje “Zëri”.
Por, mbetet ende e paqartë nëse gjyqtarët serbë do të paraqiten te presidenti Thaçi, pasi që statusi i tyre në kuadër të sistemit të Republikës së Serbisë nuk është zgjidhur ende siç kanë kërkuar ata, ndërsa edhe kanë kërkuar të betohen ndryshe nga kolegët e tyre shqiptarë me status neutral, pasi që, siç kanë thënë ata, këtë të drejtë ua garanton Marrëveshja e Brukselit për Gjyqësorin e Integruar.
E sipas marrëveshjes së arritur në mes të Thaçit dhe të Vuçiqit, puna e Gjyqësorit të Integruar do të duhej të fillonte pikërisht të martën, më 17 tetor.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se ftesat u janë dërguar 42 gjyqtarëve serbë, duke u shprehur optimistë se ata do të paraqitën për betim tek presidenti Thaçi të martën