Pas dështimit të marrëveshjes së drejtësisë për gjyqtarët serbë, ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë.
Përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Prishtinë thotë se mirëpresin përgatitjet dhe punën intensive të kryer nga institucionet shtetërore të Kosovës (Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurial, etj.) dhe Bashkimit Evropian, për të mirëpritur gjyqtarët dhe prokurorët nga komunitetet tjera brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
Ambasada amerikane flet për rëndësinë që ka zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
“Posa të arrihet kjo, integrimi gjyqësor do të shënojë kthesë të rëndësishme në avancimin e integrimit të komuniteteve në Kosovë dhe Dialogut për Normalizimin e marrëdhënieve me Sërbinë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Përfaqësia amerikane porosit se të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë institucionet funksionale të sundimit të ligjit, ndërsa integrimi do të shënojë një hap të rëndësishëm përpara.
“E kuptojmë që palët vazhdojnë të punojnë shumë për ta arritur integrimin dhe i ftojmë palët të pajtohen për afatin kohorë, në të ardhmen më të afërt”, përfundon reagimi i tyre.
Për Express më herët ka dhënë sqarim edhe zyra e shefes për Politikë të Jashtme në Bruksel Federica Mogherini. Prej atje thanë se Beogradi ka kërkuar që të shtyhet zbatimi i kësaj marrëveshjeje për gjyqësorin.