Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri një deklaratë mjaft të fortë këtë të enjte duke thënë se ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka në dorë prova që implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama me botën e krimit.
Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati tha se Tahiri, tashmë deputet i Partisë Socialiste ka në dorë përgjime dhe filmime për përfshirjen e Ramës në klanet mafioze. Në këto kushte – tha Basha – zgjidhja nuk është largimi nga politika i Tahirit, arrestimi i tij apo procedimi. Zgjidhje sipas tij është largimi i kryeministrit Edi Rama. Sipas kryeopozitarit, situata e krijuar nga përgjimet e palës italiane ka bërë që ish-ministri i Brendshëm dhe kryeministri të nisin negociatat.
“Kemi të dhëna se aktualisht Rama dhe Tahiri po bëjnë një marrëvëshje me njëri-tjetrin. Tahiri ka fakte, përgjime, dokumente dhe filmime për përfshirjen direkte të Ramës në marrëdhënien me bandat mafioze. As arrestimi i Tahirit, as procedimi s’do ketë sukses, përsakohë peshku më i madh është ulur në karrigen e kryeministrit”, tha ai.
Basha tha se Rama duhet të largohet për t’i hapur rrugën krijimit të një qeverie Anti-mafie dhe më në fund të bëhen zgjedhje të reja. Nëse para drejtësisë vendoset vetëm Sasimir Tahiri – tha Basha, atëherë ai “do ja hedhë me një koste të ulët dhe të dy të shpëtojnë paq”.
Në reagimin që Rama ka pasur pas bashkimit të opozitës shqiptare në një front, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë është shprehur për Tahirin me fjalën dru i shtrembër, kur u shpreh: “Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë”.
Emri i Saimir Tahirit ka dalë në dosjen e prokurorisë italiane që kapi një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe që drejtohej nga Moisi Habilaj. Ky i fundit u arrestua pak ditë më parë në Itali dhe është kushëri i largët me ish-ministrin Tahiri.
Në përgjimet që i janë bërë bandës së drogës, Moisi Habilaj përmend në biseda me anëtarët e tjerë Saimir Tahirin duke lënë të kuptohet se gëzojnë mbështetjen e tij dhe se i detyrohen edhe lekë në shuma të konsiderueshme. Ndërkohë vetë Tahiri në një deklaratë për media u vetëdeklarua i pafajshëm dhe kërkoi që hetimet t’i shkojnë deri në fund kësaj historie, por ai nuk hoqi dorë nga postet politike që mban edhe pse u vetëofrua për tu hetuar.