Njoftimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se propozimi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të përfundojë në muajin mars, ka bërë që në shtetin serb të ketë diskutime se cila do të jetë kjo “zgjidhje e dhimbshme” e Vuçiqit.
Burime diplomatike të gazetës serbe “Danas”, që është njëra nga mediat më të besueshme në Serbi, kanë thënë se kjo mund të jetë e lidhur me ndryshimet kushtetuese në Serbi.
Kjo gazetë raporton se propozim për Kosovën do të nënkuptonte një ndryshim në preambulën e Kushtetutës në Serbi ku thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”, dhe se “ka autonomi substanciale në kuadër të shteti sovran serb”, transmeton lajmi.net.
Megjithatë siç shkruan ‘Danas’, preambula mund të mbetet e tërë pjesa tjetër në një formë, por jo edhe neni 8 i Kushtetutës i cili thotë se territori i Serbisë “është unik dhe i pandashëm, dhe kufiri është i paprekshëm”.
Gjithashtu burimet theksojnë se neni 182 i Kushtetutës i cili përcakton autonomi për Kosovën do të rregullohet me një ligj të veçantë.
Këto pjesë duhet të ndryshohen si një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Autoritetet serbe njoftuan se do të hartojnë një Kushtetutë të re e cila do të përfundojë deri në fund të këtij viti, e cila do të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së. Pritet të organizohet edhe një referendum në tre muajt e parë të vitit 2018, me siguri në muajin mars. Për këtë arsye nuk është e papritur deklarata e Vuçiqit se zgjidhja për Kosovën do të propozohet në mars”, thonë burimet e “Danas”.
Përfaqësuesit e qarqeve diplomatike kanë thënë se Beogradi dhe Prishtina po përballen me presionin në rritje nga komuniteti ndërkombëtar që në dy-tre vitet e ardhshme duhet të arrijnë një marrëveshje e cila “nuk duhet ta përfshijë njohjen zyrtare të Kosovës nga Serbia”.
“Marrëveshja do të përfshijë një kompromis në mes Beogradit dhe Prishtinës që Kosova të fitojë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të mosnjohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia merr përsipër të mos lobojë dhe as të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat e huaja, ashtu si Beogradi dhe Prishtina u zotuan në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 që nuk do të ndërhyjnë në perspektivën ndërshtetrore të njëri-tjetrit. Ndërsa politkanët e Kosovës thonë publikisht se është e nevojshme që Serbia ta njohë Kosovën, në bisedat joformale mund të jetë diskutuar se anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të ishte një zgjidhje e pranueshme në këmbim të mosnjohjes”, thonë burimet e gazetës së njohur serbe, transmeton lajmi.net
Burimet nga Forumi Ndërkombëtar thonë se Beogradi dhe Prishtina kanë mospajtime në arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe përfundimtare.
Në Prishtinë besojnë se për dy vjet do të jenë të mjaftueshme, kurse Beogradi argumenton se për këtë duhen diskutime 6 deri në 10 vite,.
Si parakusht për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme është edhe formimi i Asociacionit, i cili ende nuk ka filluar të zbatohet.
Prishtina zyrtare sipas gazetës serbe, dëshiron që Asociacioni të jetë një lloj i organizatave joqeveritare që do të nxisin bashkëpunim ndërmjet komunave serbe në fushat e arsimit, shëndetësisë, planifikimit rural dhe urban e zhvillimit ekonomik. Kurse serbët duan që bashkësia e komunave serbe të jetë një organ politike me autoritet për të marrë vendime në fushat e përmendura mësipër.
Artikulli i gazetës serbe “Danas” përfundon me njoftimin se çdo gjë do të mund të shihet në muajin dhjetor, kur pritet të fillojë raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Vuçiqit dhe Thaçit.
“Përmbushja e këtyre pretendimeve në publik, do të jetë dramatike dhe jashtëzakonisht e vështirë”.
Ndryshe, dje presidenti serb konfirmoi se Serbia në muajin mars do të dal me një propozim për Kosovën, duke shtuar se do të ketë kompromise të dhimbshme.