Koment nga Almakos
Shqiptarët e Maqedonisë kanë përjetuar e kanë parë shumëçka, përfshi edhe lojna e intriga nga më të ndryshmet politike, ku nuk kanë munguar as intrigantë shqiptarë, të cilët, nën plisin e trimërisë dhe shqiptarisë, kanë fshehur simbolin e tradhtisë. Por edhe si të tillë, shqiptarët e Maqedonisë ndoshta kurrë nuk e kishin paramenduar se do ndodhte kjo që është duke ndodhur sot, kur fati i kandidatëve për kryetarë komunash të BDI’së, do varet nga bekimi që atyre do ua jep Zaevi. Njësoj siç nuk kanë mundur ta paramendojnë se do vijë dita kur ata që kishin gojën përplot shqiptari e atdhetari, ata që përpilonin listat e shqiptarëve pro partive maqedonase, sot do mburren dhe do stolisen me mbështetjen që ua jep kryetari i LSDM’së?!
Po pra, gjitha këto të papritura e të paparamenduara për shqiptarët e Maqedonisë, atyre ua solli BDI’ja, e cila morri zvarrë dhe përvetësoi çdo gjë shqiptare – përfshi edhe emblemën e shenjtë të UÇK’së – dhe ato deri dje ia dorëzoi në ruajtje VMRO-DPMNE’së, e sot LSDM’së. Edhe atë vetëm që të dëshmojë atë që tani më e dinë të gjithë: se as ka pasur, e as që do të ketë ndonjëherë vasal shqiptarë të këtyre përmasave. Vasalitet që kulmon me diçka të paimagjinueshme edhe për qëllimkëqijtë, që pohonin se për të mbetur në pushtet, krerët e BDI’së shkelin mbi çdo gjë, e që sot e dëshmon e vërteta se kandidatët e BDI’së për kryetarë komunash, nuk dalin përpara votuesve me Ali Ahmetin përkrahë vetvetes, por me Zaevin. Edhe atë duke pritur radhë që Zaevi të vijë e t’i përqafojë dhe ashtu të përqafuar, të fotografohen me turpin e vet, të cilin turp duan ta mbulojnë me votën e përkrahësve shqiptarë, duke pohuar se vetë shqiptarët i pëlqejnë të pëlqyerit e Zaevit!?
Po pra, shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë viktimë e shumë lojërave dhe intrigave politike, por sikur dikush atyre t’u thoshte se do vijë dita kur kandidatët e BDI’së do dalin në mejdanin politik shqiptarë të fshehur pas Zaevit, këto ata kurrë nuk do e besonin. Njësoj siç nuk do e besonin se do vijë dita kur kandidatët e BDI’së do mburren me atë se sa i pëlqen Zaevi, duke pasur kështu turp të tregojnë se janë shok me ata që për vete thonë se janë ‘më shkije se shkijet’.
Pa dyshim se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë mundur ta parashikojnë çudinë që është duke ndodhur: që kandidatët e BDI’së, të mos mbështeten mbi përkrahjen e kryetarit të partisë së tyre, por mbi atë të Zaevit! Por megjithatë, ka diçka që ata mund ta parashikojnë: 29 tetori është dita kur ata duhet ta mbivotojnë përbuzjen që ua bëri BDI’ja, edhe atë duke mos i votuar kandidatët e kësaj partie, ata të cilët deri dje Zaevi i quante kriminel, e sot, kur iu nënshtruan dhe iu bënë vasal të dëgjueshëm, i mban për heronj të konceptit qytetarë dhe shtylla te qeverisë së tij reformatore!?/Almakos