Bashkimi i forcave të Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka ngjallur eufori dhe ka prodhuar një situatë të re politike në Maqedoni. Që të dy partitë, në komuna të ndryshme garojnë kundër koalicionit LSDM – BDI. Një prej betejave kryesore është duke u zhvilluar në komunën e Tetovës, ku kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami garon kundër Teuta Arifit e cila përkrahet nga kryeministri Zoran Zaev, ndërsa garon si kandidate e BDI – së.
Portali Sakte.net nga burime të sigurta brenda Bashkimit Demokratik për Integrim mëson se pas marrëveshjes së partive të reja, Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, kryeministri Zaev është duke planifikuar që në rast të humbjes së kandidates së BDI – së, Teuta Arifi të jetë pjesë e kabinetit të tij qeveritar.
Edhe vetë vizita e Arifit në Shqipëri dhe takimi i saj me presidentin e atjeshëm, Ilir Meta, paralajmëron të ardhmen e saj politike si udhëheqëse e diplomacisë.
Teuta Arifi në të kaluarën ishte pjesë e kabinetit të Nikolla Gruevskit, ndërsa ishte ndër më të zëshmet pro bashkimit të BDI – së me LSDM.
Karriera e saj politike filloi pikërisht në LSDM, ndërsa kandidimi i saj i sërishëm për Tetovën ngjalli reagime të shumta brendapartiake të cilat ishin kundër ngaqë shumë pika të premtuara nga programi i saj nuk ishin realizuar.
Në raundin e parë zgjedhor, Arifi me ndihmën e LSDM – së arriti të del kandidatja më e votuar. Mirëpo, me unifikimin e votës së Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët asaj i janë zbehur gjasat e fitores, ndërsa votuesit e PDSH’së kanë treguar lëvizje dhe interesim në drejtim të kandidaturës së Bilall Kasamit.
Burime të portalit Sakte.net konfirmojnë se edhe vetë Arifi është e interesuar që rrugëtimin e saj politik ta vazhdojë si ministre e punëve të jashtme, gjë që nuk është e pamundur tani kur shihet qartë se për BDI si dhe i kuadrot e saj vendos Zoran Zaevi./Sakte.net