Ky është kushti i vetëm i Selim Pacollit për Shpend Ahmetin e Arban Abrashin

Befasia e zgjedhjeve të djeshme në Prishtinë ishte suksesi që shënoi kandidati i AKR’së, Selim Pacolli, i cili arriti të marrë 10 për qind të votave, duke e renditur partinë e tij për herë të parë të tretën në kryeqytet. Në një intervistë për Periskopi, Pacolli flet për programet e dy kandidatëve që do të përballen në balotazh në Prishtinë – Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje e Abran Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në të njëjtë intervistë, Pacolli garanton se do t’ju qëndrojë besnik qytetarëve që e votuan, ndërsa vendimi për bashkëpunim me ndonjërin nga kandidatët tha se nuk është në  duar të tij, meqë nuk ka pozita vendimmarrëse në partinë që e vendosi si kandidat.

Ndonëse nuk ka përjashtuar mundësinë e përkrahjes për ndonjërin nga kandidatët, Selim Pacolli ka AKR përmendi një kusht nga i cili nuk do të heq dorë.

“Vendimi për bashkëpunim tanimë është i partisë, jo vetëm i imi si Selim. Unë nuk mund të asistoj tek votuesit e mi që të votojnë njërin apo tjetrin kandidat. Nëse vie deri aty kjo çështje, atëherë fillimisht duhet të qitet në tavolinë programi im për Prishtinën, sepse votat e qytetarëve më janë dedikuar mua, janë të dedikuara për programin dhe visionin tim. Nëse nuk diskutohet programi im, atëherë unë do të isha një abuzues i votës së qytetarëve, që kanë besuar visionin tim. Programi im duhet të zbatohet dhe të gjendet një gjuhë e përbashkët me kandidatët. Nëse jo, atëherë nuk do ta preferojë bashkëpunimi, pavarësisht për kënd bëhet fjalë”, ka thënë Pacolli për Periskopin.

Refuzoi të flas për kandidatët, por i cilësoi si të njëjta programet e Shpend Ahmetit e Arban Abrashit, për të cilat tha se nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje epokale për qytetarët e Prishtinës.

“Nuk flas për kandidatë, po veç për programet e tyre. Tek e fundit nuk jam unë ai që vlerëson karakterin apo moralin e tyre. Programet e tyre nuk më duket që ndryshojnë shumë nga njëri tjetri, gjërat janë përsërit gjatë 30 dite, unë i qes kungjat, unë i bëjë parkingjet, dikush thotë boj shkolla, tjetri çerdhe etj. Nuk shoh zgjidhje epokale në programet e tyre për qytetarët e Prishtinës”, deklaroi Pacolli gjatë bisedes me Periskopin.

Tutje, Pacolli tha se do të jetë i kujdesshëm për vendimet që do t’i marrë qoftë ai, apo edhe partia, por bëri të ditur se nuk i duhen premtimet e kandidatëve se programi i tij do të nisë të zbatohet, në rast se arrihet marrëveshje.

“Nuk më duhen premtime se do ta zbatojnë programin tim. Por, koalicionet janë të përbashkëta dhe dy palët kanë përgjegjësi, që janë obligime të dala nga marrëveshjet.  Jam shumë obligues ndaj votuesve të mijë, andaj do të jem shumë i kujdesshëm, por për vendimre duhet të konsultohem me parti, meqë unë jam vetëm kandidat dhe nuk kam pozita vendimmarrëse në parti. Vota është obligim e besë, andaj kur dikush të beson ty, kjo është përgjegjësi si e madhe. Unë tani flas në emër të 10 për qind të votave që kam marrë deri më tani. Do t’i mbrojë ato vota. Votat më janë besuar, nuk më janë falur”, përfundoi Pacolli.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës është në mesin e 19 komunave që do të shkojnë në balotazh. Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes me 43 për qind të votave do të përballet në raudin e dytë të zgjedhjeve me Arban Abrashin nga LDK me 35 për qind të votave. I treti në garë ishte i lartpërmenduri Selim Pacolli me 10 për qind të votave, ndërsa i katërti është kandidati i PDK’së, Lirak Çelaj me më pak se gjashtë për qind.

Në garë për Prishtinën ishin edhe Shyqiri Bytyqi nga Nisma për Kosovën me 0,7 për qind të votave, Avni Çakmaku i Fjalës me 0,26 për qind, Rifat Deri i Alternativës me 0,31 për qind. /Periskopi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme