​Mimoza Kusari e ka të vështirë në balotazh, PDK ia përmend shpifjet

PDK ende nuk është pozicionuar për balotazhin në Komunën e Gjaklovës, që do të zhvillohet mes Ardian Gjinit të AAK’së dhe ish-kryetares Mimoza Kusari-Lila, cila garon për ‘Alternativën’. Por, Kusari –Lila duket se do ta këtë të vështirë betejën me Ardian Gjinin, pasi PDK po sinjalizon se nuk do ta mbështesë për shkak të “shpifjeve” që ish – kryetarja ka bërë ndaj drejtorëve të kësaj partie në Komunë

 

Kryetari i degës së PDK’së në Gjakovë, Hajdar Beqa, të hënën, tha se PDK’ja do të shqyrtojë shumë shpejt pozicionimin e saj për këtë qytet. Ai ka treguar se nuk kanë ndonjë preferencë, megjithëse përmend se me Kusari-Lilen kanë bashkëpunuar derisa ajo ishte në krye të Gjakovës, e që sipas Beqajt ky bashkëpunim ka përfunduar me shpifje ndaj PDK’së dhe ish-drejtorëve të saj në komunë.

“Zonja Kusari-Lila ka qenë në koalicion me ne, por nuk është treguar bashkëpunëtore e mirë”, ka thënë deputeti i PDK’së që drejton degën e kësaj partie në Gjakove, për Gazetën Express.

“Nëse ndryshojmë qëndrim atëherë mundemi me diskutu. Por, për momentin nuk është e preferume, pasi nuk ka qenë një bashkëpunëtore e mirë”, ka shtuar ai. Beqa ka duke kritikuar shkëputjen e bashkëpunimit që ajo kishte me PDK’në pak ditë para se të japë dorëheqje nga komuna për të qëndruar deputete në Kuvend.

“Ajo ka nejt më shumë në Prishtinë sesa në Gjakovë, dhe nuk ka tregu bashkëpunim të mirë me drejtorët. E në fund të koalicionit ka shpifur për ta se kanë pasur performancë të keqe”, tha Beqa për Express.

Tutje sipas zyrtarit të PDK’së, dega që ai drejton do të shohë opsionin më të mirë që u shërben qytetarëve të Gjakovës, para se të vendosë se kë do të mbështesë në balotazhin e nëntorit për këtë komunë.

“Ne si PDK ende nuk e kemi shqyrtu pozicionimin tonë si subjekt politik. Ne do të diskutojmë në forume të partisë, dhe si kryesi e degës do të marrin qëndrim nëse do të mbështesim ndonjërin prej kandidatëve për balotazh, apo nëse do të qëndrojmë në opozitë”, thotë ai, duke konfirmuar se kanë pasur komunikime për të përkrahur ndonjërin prej kandidatëve në balotazh, porse nuk kanë qenë zyrtare.

“Kjo varet edhe prej qëndrimeve që marrim ne si degë. Do t’i shikojmë edhe hapësirat që do t’i krijohen PDK’së në implementimin e programit tonë, pasi ne kemi hartuar një program të mirë për ndryshim, i cili është në interes të qytetarëve. Nëse ne i gjejmë ato objektiva që na përputhen me programe, atëherë është e mundshme edhe koalicioni”, pohon Hajdar Beqa.

Nga ana tjetër, as kandidati i PDK’së për Gjakovë, që të dielën arriti mbështetjen e vetëm 8,20 për qind të gjakovarëve, Ramadan Hoti, nuk ka treguar nëse ka ndonjë preferencë për balotazh.

Edhe ai tha se në konsultim më degën e partisë dhe qendrën, mes Ardian Gjinit dhe Mimoza Kusari-Lilës do të mbështesë atë që vendoset bashkërisht nga PDK’ja.

Ndryshe, në balotazhin e nëntorit në Gjakovë, garon ish-kryetarja e dorëhequr Mimoza Kusari-Lila si kandidate e ‘Alternatives’ dhe Adrian Gjini nga AAK’ja. Ky i fundit ka dalë i pari në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, më mbi 16 mijë vota (40,63%), duke u pasuar nga Kusari-Lila e cila këtë herë rezultoi me 31,69% të mbështetjes së gjakovarëve, me afër 13 mijë vota në total. /GazetaExpress/.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme