SHBA ia thotë troç Serbisë: Nuk mund të uleni në dy karrige

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, tha në Beograd se vendet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian duhet ta dëshmojnë qartazi një gjë të tillë.

Duke folur në një forum mbi ekonominë në Serbi, ai komentoi politikën zyrtare serbe që angazhohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe ruajtjen e lidhjeve me Moskën, aleaten e Serbisë.

“Nuk mund të qëndroni ulur në dy karrige, posaçërisht nëse ato janë larg njëra tjetrës”, tha ai, duke nënvizuar se kjo nuk është normë në bashkësinë ndërkombëtare.

Ai, siç transmeton Zëri i Amerikës, tha se synim i Shteteve të Bashkuara është që Serbia të jetë e përparuar, e qëndrueshme, e sigurt dhe e integruar në Bashkimin Evropian, prandaj ajo duhet të punojë me nismat që e afrojnë më BE-në.

“U propozoj partnerëve tanë në Serbi që të pyesin Rusinë se çfarë bën ajo që ta ndihmojë në rrugën dejtë BE-së. Nuk besoj se dhënia e imunitetit diplomatik për personelin e qendrës (humanitare ruse) do të ndihmonte Serbinë që të përmbushë synimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha diplomati amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.

Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.

Moska vazhdon të mbështesë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe refuzon sikurse edhe Serbia të njohë pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ajo i dorëzoi javën që lamë pas gjashtë avionë ushtarakë MiG-29 Serbisë, ndërsa pritet që të dërgojë në Beograd edhe 30 tanke T-72 dhe 30 automjete të blinduara.

Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane. Zoti Hoyt Yee tha se Shtetet e Bashkuara janë të përfshira që nga fillimi në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që drejtohen nga Bashkimi Evropian.

Pjesëtarë të shoqërisë civile, por edhe diplomatë perëndimorë janë shprehur të shqetësuar se Serbia po zhvillon një proces të ngadalshëm për ripajtimin në rajon, që është një prej kritereve për integrimet evropiane.

Javën e kaluar ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, tha se gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviç, i dënuar nga Gjykata e Hagës me 14 vjet heqje lirie për krime lufte në Kosovë mund të jap mësim në Akademinë Ushtarake në Serbi.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, tha se ideja që “dikush i cili është dënuar për krime lufte mund të jetë ligjërues në akademinë ushtarake, nuk është shenjë e mirë e orientimit të qeverisë që të dënohen krimet e luftës. E kanë vuajtur apo jo dënimin, ata janë përgjegjës”, u tha ai gazetarëve në Beograd.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që vendet e Ballkanit perëndimorë të jenë të qëndrueshme. “Ende ka rrezik nga konfliktet kudo ku ka probleme të pazgjidhura. Megjithatë, rrjedha e përgjithshme sa i përket paqes e qëndrueshmërisë është pozitive”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme