Fituesja e Çmimit Nobel për letërsi, gjermania Herta Muller, të hënën mbrëmje ishte mysafire në Teatrin Jugosllav të Dramës në Beograd, në kuadër të Panairit të librave, ku “e flladiti publikun me një dush të ftohët”, sa i përket Kosovës!
Ajo e tërboi publikun në sallën e stërmbushur të teatrit kur i arsyetoi bombardimet e NATO’s dhe e akuzoi Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe për luftën në Kosovë dhe Bosnje, ku shkaktoi edhe braktisjen e sallës të shumë të pranishmëve, transmeton gazetametro.net.
Gjatë vitit 1999, kur u bombardua Serbia, Muller ka shkruar një ese ku thekson mirëkuptim për sulmet e NATO’s dhe se Milosevic’i duhet të ndalet një herë e përgjithmonë.
Ajo për Milosevic’in ka shkruar se ai për nëntë vite ka kryer katër luftëra dhe në mënyrë pragmatike ka krijuar varreza siç të tjerët krijojnë rrugë, dhe se deri te ai nuk mund të arrihet me fjalë. Në fjalët e saj ka përkujtuar shkrimtari Michael Martinez në mbrëmjen letrare e cila u mbajt të hënën mbrëma në Teatrin Jugosllav të Dramës në Beograd.
“Sa i përket temave të luftës, jam e mendimit të njëjtë. Kosovës dhe Bosnjës i janë shkaktuar aq shumë të keqe dhe ky ishte ai nacionalizëm i kobshëm në të cilin ka marrë pjesë në masë të madhe edhe Kisha Ortodokse Serbe. Këtë nuk e kam pritur dhe kam qenë e tmerruar me atë se çfarë po ndodhë në Jugosllavi, sepse ky ishte vend mjaftë i hapur”, ka thënë Muller.
“Për Rumaninë, në atë kohë Jugosllavia ishte gjysmë parajsë. Për këtë arsye ishte e pabesueshme që në këtë vend të shpërthejë nacionalizmi serb deri në atë masë saqë vendi arriti në rrugë krejtësisht të gabuar. Nxitja e nacionalizmit ishte aq e fortë saqë njerëzit e humbën arsyen. Vendi u nda dhe për këtë kishte arsye”, thotë nobelistja gjermane me prejardhje rumune.
“Në disa filma kam parë disa gjëra kur në Kosovë kanë qenë tubime paqësore, dhe atëherë ka pasur intervenime ushtarake. Ky vend vetvetes i ka shkaktuar të keqe. Serbët i kanë shkaktuar vuajtje vetvetes dhe me këtë tani duhet të jetojnë”, ka thënë Muller./gazetametro.net