Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka marrë vendim që të mos nënshkruhen kontratat për kandidatët që janë përzgjedhur në konkursin e shpallur më 24 korrik 2017 “Inspektor/Hetues”, me numër të referencës IPK/DO/01, dhe që është publikuar në faqen zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ky vendim, sipas komunikatës për media, është marrë pas ankesave të shumta që kanë bërë kandidatët, të cilët kanë marrë pjesë në këtë konkurs. Ministri Sefaj ka kërkuar nga auditorët e brendshëm të MPB-së dhe Inspektorati Policor të Kosovës për të vlerësuar të gjithë procesin, transmeton Koha.net.
Me qëllim që të sqarohet e gjithë situata dhe ankesat e kandidateve të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe që të mos i bëhet e padrejtë ndonjërit prej kandidatëve, ministri Sefaj ka pezulluar këtë proces, deri në daljen e rezultateve nga auditorët. Ky vendim është bërë me qëllim që të ketë transparencë të plotë të këtij konkursi.
Përmes kësaj komunikate për medie, ai u ka kërkuar falje dhe mirëkuptim nga kandidatët që janë përzgjedhur në këtë konkurs.
Pas përfundimit të auditimit, ministri Sefaj do të dalë me një qëndrim rreth këtij konkursi.
Me marrjen e këtij vendimi ministri Sefaj ka njoftuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe zëvendëskryeministrin e parë Behgjet Pacollin, thekson komunikata.