Kryetari i të Majtëve të Serbisë, Borko Stefanoviq, vlerëson se dialogu i brendshëm për Kosovën “nuk është dialog, por monolog i brendshëm i Vuçiqit”, ndërsa kryetari i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq ka thënë se “parimisht mbështet idenë për dialog, por me dy kushte”, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.
“E kam mbështetur në parim dialogun kur e paralajmëroi Vuçiq, por vetëm me dy kushte dhe këto janë – të mos ketë zgjidhje të përgatitur paraprakisht dhe të mos ketë afat të kufizuar”, është shprehur Ivanoviq në tribunën “Nyja e Kosovës” dhe ka shtuar se në dialog do të duhej të përfshihen edhe serbët që jetojnë në Kosovë (e Metohi – siç e ka quajtur ai Republikën e Kosovës, sqarim ynë) si dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Sipas tij zgjidhjet e shpejta e të lehta nuk mund të na sjellin kurrfarë dobie. Ai ka thënë se së pari do të duhej të publikoheshin parimet në bazë të të cilave do të zhvillohej debati, si dhe që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të përfshijë në të “shtresat e gjera shoqërore, në radhëp të parë intelektualët e pavarur dhe disa institucione”.
Ndërsa Borko Stefanoviq i të Majtës Serbe u shpreh se “Vuçiq po bisedon vetmeveti me Vuçiqin e vjetër dhe po përpiqet ta bind Vuçiqin e vjetër se kanë ardhur kohë të tjera”, gazetari i të përjavshmes “Vreme” Dejan Anastasijeviq tha se “çdo gjë dihet qysh përpara”, transmeton Koha.net.
“Fundi dihet qysh përpara, ai është në linjë me atë që është projektuar më përpara si qëllim i Dialogut të Brukselit, marrëveshje e detyrueshme juridike i cili sipas pritshmërive, në radhë të parë të Gjermanisë, Amerikës dhe të Brukselit do të duhej të shihte dritën deri në fund të vitit të ardhshëm, që është jo reale. Ky është ai përfundimi për të cilin Vuçiq kaherë është pajtuar”, vlerëson Anastasijeviq.
Vesna Peshiq, sociologe, tha se ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq është dashur “ta shfrytëzojë Rugovën i cili ka qenë hapur për bisedime”, që çështja të zgjidhet me marrëveshje, por ky rast është lëshuar.
“Atëherë kemi lëshuar rastin e madh që eventualisht të arrihet ndonjë marrëveshje normale. Po ta kishim bërë atëherë sot me siguri nuk do të ishim në situatën në të cilën jemi”, ka vlerësuar Peshiq.
Ajo ka shtruar pyetjen se cili është plani ynë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe a do të mbesim “shtet jonormal, i papërkufizuar në afat të pacaktuar, meqë Serbia nuk ka kufij”.