Në kohën kur do duhej të vinin njohje të reja për shtetin e Kosovës, po ndodh e kundërta, duke dalë shtete që veç janë në listën e shteteve që e kanë njohur Kosovën, dalin të mos kenë bërë një gjë të tillë.
Përderisa në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të brendshme ende figurojnë 114 shtete që kanë njohur Kosovën, po del se një gjë e tillë nuk është e saktë, ani pse është marr si e mirëqenë për një kohë të gjatë.
Kjo për faktin se Cidzhiok Makhardi Ani nga Ambasada e Nigerisë në Beograd, ka thënë se shteti i tij nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, asnjëherë.
Se Nigeria asnjëherë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe qëndron me atë vendim që të mos e njohë pavarësinë e saj, ka thënë Cidzhiok Makhardi Ani nga Ambasada e Nigerisë në Beograd.
“Nigeria nuk ka ndryshuar pozicionin e saj, kur është fjala për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha ai duke specifikuar se kjo do të thotë se shteti ‘nuk e njeh pavarësinë e Kosovës’.
Që Nigeria dhe Uganda e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ka thënë asokohe ministri i tanishëm i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, gjatë mandatit të dytë të kryeministrit Hashim Thaçi në vitin 2011- 2012.
Përveç kësaj, të dhënat e Beogradit dhe Prishtinës për numrin e vendeve që kanë njohur pavarësinë ndryshojnë, nga Beogradi thonë që janë 106 vende, ndërsa nga Kosova 114.
Përderisa në faqen zyrtare të Ministrisë së punëve të Brendshme, janë 114 shtete në listë të njohjeve për Kosovën e ndër to edhe Nigeria dhe Uganda, Ministria e Punëve të Jashtme nuk është përgjigjur në lidhje me numrin e shteteve që e njohin Kosovën, dhe ende nuk ka dal me ndonjë reagim zyrtar lidhur me reagimet që ambasadori i Nigerisë i ka bërë.
Në anën tjetër opozita e vendit konsiderojnë se nëse këto shtete nuk e kanë njohur Kosovën, dhe janë marr si të mirëqena nga Kosova, një gjë dëshmon për mungesë të skajshme të seriozitetit të tyre, gjithashtu nisjen e këtyre lajmeve, pikërisht nga Beogradi ata e shohin si mundësi e ndonjë korrupsioni në këtë aspekt nga ana e Serbisë, sepse sipas tyre një gjë e tillë është e pritshme prej saj, shkruan “Zëri”.
Por analistët e vendit këto mos njohje eventuale, i shohin si ‘propaganda’ të shtetit të Serbisë, të cilët po mundohen me çdo kusht sipas tyre ta dëmtojnë Kosovën, dhe stabilitetin e saj.
Duke e quajtur këtë gjë si një “krekosje” e panevojshme e Serbisë, ata thonë se njohjet dhe mos njohjet që i bëhen Kosovës nuk dëmtojnë sovranitetin e pavarësinë e saj, sepse konsiderojnë ata pavarësia e Kosovës është një rrugë pa kthim.
Kurteshi: Deklarimi i njohjeve pa ndodhur ato, imazh i keq për Kosovën
Ismajl Kurteshi deputet nga radhët e Vetëvendosjes, thotë deklarimi i njohjeve, pa ndodhur ata janë një alarm dhe një mesazh i keq për imazhin e shtetit të Kosovës.
“Nëse këto janë propaganda janë të këqija për Kosovën, ato do të ishin shumë më të këqija nëse janë të vërteta, natyrisht që disa prej udhëheqësve të Kosovës, të cilët kanë deklaruar njohje pa ndodhur ato, flasin për mungesë të skajshme të seriozitetit të tyre sepse tani po shihet që ka të atillë që po e pranojnë në një mënyrë që kurrë nuk kanë pasur njohje, po vetëm i kanë deklaruar, kurse kur bëhet fjalë për tërheqje, kjo është një alarm për vendin tonë se çfarë mesazhi po dërgojnë krejt këto dukuri negative të vendit, që natyrisht bota i merr vesh siç është korrupsioni enorm, stagnimi në zhvillim ekonomik etj..”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij është Serbia, ajo e cila përmes propagandës së saj po punon që të ‘zhbëj’ shtetin e Kosovës.
“Serbia me propagandën e saj me të cilën ne për çdo ditë po bëjmë përpjekje që të bisedojmë e në ato bisedime po bëjmë koncesione të pa pranueshme, në një anë ne bisedojmë me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve e në anën tjetër Serbia punon jo vetëm me Kosovën në ato negociata por me tërë botën që ta zhbëj shtetin e Kosovës”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në një prononcim për Zërin.
Sipas tij zgjidhja e krejt kësaj gjendet në një rishqyrtim të gjithanshëm të politikës në Kosovë, në mënyrë që sipas tij të vijmë në një situate që ti bindim vendet që nuk na kanë njohur të na njohin dhe të mos krijojmë dilema as te ata që na kanë njohur.
Gecaj: Serbia vazhdimisht ka penguar pavarësinë dhe njohjen e Kosovës shtet
Ndërsa ish-këshilltari i Isa Mustafës dhe ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, në një prononcim për Zërin ka thënë se, nuk është e habitshme nëse Serbia qëndron prapa kësaj.
“Serbia ka qenë gjithmonë destruktive në këtë aspekt pra vazhdimit ka provuar në mënyra të llojllojshme që të pengoj së pari pavarësinë e pastaj njohjen e saj, nuk ka asgjë të re nëse ata dalin me iniciativa të tilla dhe nëse kjo vërtet ndodh dhe nëse kjo njohje vërtet është tërheq unë nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë korrupsioni në këtë aspekt nga ana e Serbisë, sepse është e pritshme prej saj”, ka thënë Gecaj.
Ai thotë se lajme të tilla për Kosovën nuk e dëmtojnë stabilitetin e Kosovës, por as nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij çështja e Nigerisë ka qenë aktuale shumë më herët, por edhe për çështjen e Surinamit, duhet të pritet reagimi zyrtar dhe nëse ata e kanë tërheq njohjen, atëherë sipas tij kjo duhet që sigurisht të vijë në të njëjtat kanale në të cilat ka ardhur edhe njohja.
Tahiri: Çështja e njohjeve nuk është me rëndësi për subjektivitetin e Kosovës
Ndërsa Ramush Tahiri, analist e quan tërë këtë proces të njohjeve të Kosovës, si garë midis asaj se sa shtete po na njohin e sa jo.
“Çështja e njohjeve të Kosovës ka shkuar si një lloj gare se sa shtete po na njohin edhe sa nuk po na njohin, në fillim ka qenë një bindje që nëse na njohin më shumë se gjysma e shteteve të Kombeve të Bashkuara atëherë mund të aplikojmë edhe ne si anëtar të Kombeve të Bashkuara, kështu ka qenë bindja, më vonë janë bind që duhet edhe një rekomandim i Këshillit të Sigurimit, dhe në këtë këshill ne nuk i kemi votat dhe nuk e kemi përkrahjen e Rusisë dhe të Kinës”, ka thënë ai për “Zërin”.
Ai konsideron se njohja apo mos njohja e shteteve të botës nuk e dëmton stabilitetin e Kosovës, dhe me rëndësi më të madhe është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.
“Çështja e njohjeve nuk është me rëndësi për subjektivitetin e Kosovës por e rëndësishme është me vendos marrëdhënie bilaterale me sa më shumë shtete që kemi interes, e rëndësishme është që të na njohin shtetet e Bashkimit Evropian sepse jemi shtet evropian, dhe e rëndësishme është me u anëtarësua në organizata ndërkombëtare ku marrim pjesë si të barabartë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij pa këto organizata ne nuk jemi subjekt i plotë ndërkombëtar me të drejta të plota, dhe vlerëson ai se nuk është në interes të Kosovës me u njohtë nga gjithë shtetet sa ka në botë.
“Përndryshe këto janë krejt një garë politike e pandershme a të ka njohtë Uganda a Nigeri apo a e heq të drejtën Surinami, dhe një krekosje e panevojshme e Serbisë sepse njohjet dhe mos njohjet nuk do të thotë që Kosova e humb sovranitetin ose pavarësinë, sepse është një rrugë pa kthim, por që Kosova duhet me u koncentruar, dhe opinion duhet me u kthye në këtë drejtim që me u anëtarësua në organizata ndërkombëtare dhe me pas marrëdhënie bilaterale me shtetet që ka interes”, ka përfunduar Tahiri.
Baraliu: Serbia po na kthen mbrapa
Ndërsa Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike thotë se njohja dhe mos njohja e shteteve të botës, ndaj Kosovës vjen si pasoj e keq qeverisjes.
“Po ndodh avazi i vjetër i strukturave të ndryshme të qeverisjes së papërgjegjshme të cilat me kompozitet thonë që kanë arritur rezultate në njohje gjatë qeverisjeve të tyre, dhe kemi riciklim të komponentëve në këto dy tri qeverisjet e fundit të cilët po të njëjtit, duke u munduar secili të marr merita se po sjellin njohje në fakt as nuk kanë sjell këta të pushtetit të deritanishme, as nuk po sjellin këta të Qeverisë së tanishme”, ka thënë Baraliu për “Zërin”.
Sipas tij tërheqja e njohjes nga Surinami dhe ajo që u deklarua Nigeria dhe të tjerët tregon se institucionet tona sidomos diplomacia nuk ka pasur qasje dhe interesim serioz të mjaftueshëm, të përgjegjshëm.
“ Nuk kanë punuar sa duhet për ti bindur të tjerët dhe shtetet që ta njohin por edhe shtetet mike me ndikim që të ndikojnë te të tjerët në zona të ndryshme të interesit për ta njohur dhe për të arritur numrin e duhur që ne pastaj të konkurrojmë në organizatën e Kombeve të Bashkuara, pra është një papërgjegjshmëri është një të themi një qasje jo serioze e strukturave qeverisëse.
Edhe Baraliu thotë se pikërisht Serbia po na kthen mbrapa, duke dashur që të i dëshmojë të tjerëve që Kosova nuk është e aftë të mbaj shtet.
“Serbia po na kthen mbrapa dhe po i tregon botës që ja këta nuk janë të zotët të krijojnë dhe të mbajnë, kjo gjë është luftë e përhershme e Serbisë për të treguar para botës se ne nuk jemi të zot për të bërë shtet, por është ana tjetër se ne nuk po punojmë sa duhet, dhe faktori tretë se ato shtete nuk po tërhiqen nuk po deklarojnë të thonë që nuk është e vërtet ajo që thotë Beogradi, por po del që faktikisht në heshtje, që thjesht janë tërhequr ata dhe kjo tërheqje, është bë me një punë të madhe që ka bo Serbia për të tërheq njohjet që i janë bërë shtetit të Kosovës, dhe për ta humb e zbrit imazhin e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Baraliu. /ZËRI/