Në debatin e mbrëmshëm në Klan Kosova, në mes të Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit është diskutuar edhe çështja e punësimeve familjare e partiake.
Kandidati i VV-së Shpend Ahmeti e pyeti atë të LDK-së Arban Abrashin, konkretisht se a i ka punësuar në institucione disa familjarë të bashkëpartiakëve të tij në kohën sa ishte ministër, ky i fundit as nuk e ka pohuar e as mohuar duke dashur t’i ikë çështjes, transmeton Periskopi.
“Është punësuar vajza e vllaut të kryeministrit Mustafa, gruaja e djalit të kryeministrit, djali i Vlora Dumoshit, djali i Agim Veliut, një nuk po e përmendi se është person i ndjerë, gruan e këshilltarit tuaj Selatin Kllokoqit, mbesën e ministrit Lutfshi Zharku, nipin e depuetit Sali Morina dhe kryetarin e degës së LDK-së në Malishevë”, ka thënë Ahmeti.
Mirëpo, ai iu kthye Ahmetit duke thënë se keni punësuar mbi 700 militantë në Komunën e Prishtinës. E kjo si duket e ka habitur shumë Ahmetin.
“Haaa. Kukuuu hej… qysh more? Tash e teprove a…”, u shpreh i habitur Shpend Ahmeti, teksa kthehet nga moderatori dhe thotë “Jo more nuk mundet kështu, a e din çfarë gënjeshtre është kjo”.
E pastaj Abrashi thotë se janë 482 zyrtarë, e për të cilët ekziston edhe një proces gjyqesor, duke iu referuar padisë që ka bërë PDK’ja muaj më parë.
“A po merr përgjegjësi publike për atë çka e the. Përsërite të lutem edhe njëherë sepse ke me pas padi për shpifje”, thotë Ahmeti. /Periskopi.