Nga Gjykata Speciale kanë folur në lidhje me atë se deri ku kanë arritur hetimet nga ana e kësaj gjykate, në lidhje me ish- drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët senatori zvicran në raportin e tij, i akuzon për gjoja trafikim me organe.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes ka theksuar për Gazeta Blic se Dhomat e Specializuara të Kosovës po punojnë intensivisht që nga themelimi i tyre më 2016.
“Me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave më 5 korrik 2017, ato mund të marrin dhe procedojnë parashtrime gjyqësore, si për shembull në lidhje me akuza. Paralelisht, Dhomat e Specializuara të Kosovës po punojnë drejt miratimit të një sërë dokumentesh ligjore që kanë për qëllim rritjen e efikasitetit të institucionit”, ka thënë Benes për Gazeta Blic.
Në anën tjetër, nga Prokuroria Speciale kanë thënë se janë duke vazhduar hetimet.
Chris Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorisë Speciale ka thënë për Gazeta Blic se janë duke vazhduar hetimet nga vitit 2016.
“ SPO është duke vazhduar hetimet që nga shtatori 2016. Prokuroria speciale nuk komenton statusin e hetimeve për arsye profesionale, ligjore dhe etike”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, është raportuar se Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, do ta vizitojë Kosovën për herë të parë, gjatë javës së ardhshme.
Ndërkaq, presidenti i vendit, Hashim Thaci ditë më parë është “rebeluar” ndaj themelimit të kësaj gjykate, duke akuzuar bashkësinë ndërkombëtare për mashtrim.
Krijimit të Gjykatës Speciale i kishte paraprirë raporti i senatorit zviceran Dick Marty, i cili në raportin e tij të paraqitur para Këshillit të Evropës kishte akuzuar krerët e U ÇK-së për trafikim organesh.
Madje, në këtë raport të senatorit zviceran ndër të tjera përmenden edhe emrat e shumicës së drejtuesve të ish- UCK-së, si të dyshuar që janë përfshirë në këto krime lufte.