Veliu vs Potera

Agim Veliut nga LDK-ja për herë të parë do t’i duhet të zhvillojë garë në balotazh. Të gjitha mandatet e tij të deritashme, që ka thënë se i ka ushtruar 4, ai i kishte fituar në raundin e parë. Por në zgjedhjet e 22 tetorit, Veliu nuk ka arritur të marrë 50 për qind të votave. Sipas rezultatit të publikuar nga KQZ-ja, kandidati i LDK-së ka marrë 18.872 vota ose 48.15 për qind, kurse rivali i tij nga LVV-ja, Ajet Potera, 11.671 vota ose 29.77 për qind.

Por, deri tash asnjëri kandidat nuk ka bërë koalicion me ndonjë parti tjetër për raundin e dytë, që do të zhvillohet më 19 nëntor. Të dy kanë thënë se koalicioni i tyre është me qytetarin. Megjithatë, kandidati i AAK-së, Fatmir Humolli, që kishte garuar në zgjedhjet e 22 tetorit ka dalë haptas në mbështetje të Ajet Poterës. E mbështetje të njëjtë për Poterën, Albin Kurti ka thënë se presin edhe nga partitë e tjera që kishin garuar më 22 tetor, shkruan sot Koha Ditore.

Agim Veliu ka thënë të mos ketë pritur se do të mbetet në balotazh, duke u shprehur i sigurt në fitore më 19 nëntor. Veliu ka thënë se nëse do të arrijë të marrë edhe këtë mandat do të vazhdojë me projekte në infrastrukturë si deri tashti. Si projekt më të madh e ka përmendur ndërtimin e bulevardit dhe dy shesheve, të cilat kishin qenë të planifikuara të bëheshin sivjet. Ai po ashtu ka thënë se do t’i hapin dy rrugë të reja, njëra buzë lumit Llap nga ana perëndimore dhe tjetra kah është hekurudha në pjesën lindore. Veliu gjatë një përballje televizive me Ajet Poterën ka thënë se projekte të tjera të mëdha që do t’i bëjë nëse e merr mandatin e ardhshëm është funksionalizimi i spitalit dhe ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza që do të ndërtohet nga kredia e marrë nga Austria, e të cilat gjithashtu kishin qenë të planifikuara të bëheshin sivjet.

“Bazuar në vizionin, mundësinë dhe specifikat që i ka Komuna e Podujevës, ekspertët kanë parashtruar objektivat konkrete, realizimi i të cilave do të kontribuonte drejtpërdrejt në arritjen e synimeve të komunës, për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, shërbime shëndetësore cilësore, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, zhvillim rural dhe bujqësi me kapacitete përpunuese, rregullim hapësinor dhe urban, shërbime publike cilësore, infrastrukturë të përparuar, promovim në kulturë, sport dhe rekreacion, mbështetjen e projekteve për të rinj dhe avancim të administratës lokale gjithsesi”, ka theksuar kryetari aktual i Podujevës. Ai ka premtuar ndërtimin e shkollave në Llaushë, Ballofc, Lladofc dhe rinovimin e asaj në Zhiti.

Ndërkohë, rivali i tij nga LVV-ja ka thënë se balotazhi nuk është barazh e as golaverazh dhe se në raundin e dytë gjithçka do të zhvillohet nga zeroja.

Ajet Potera ka thënë se 52 për qind e votuesve kanë votuar për ndryshimin. Ai e ka akuzuar kryetarin e deritashëm për keqqeverisje, keqpërdorim të parasë publike e madje edhe për haraç që i kishte vënë një biznesmeni nga fshati Lluga. Potera ka thënë gjithashtu se Agim Veliu e ka politizuar arsimin në Podujevë, e ka degraduar shëndetësinë, se ka blerë naftë në librari e për keqpërdorim të mjeteve, pasi sipas tij, rruga kryesore e qytetit “Zahir Pajaziti” që është asfaltuar gjatë fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit do të prishet vitin e ardhshëm për shkak të zgjerimit, ndërtimit dhe asfaltimit që është paraparë në 2018. Kandidati i LVV-së i ka thënë disa herë Agim Veliut se do të pensionohet në këto zgjedhje. Por, Agim Veliu i është kundërpërgjigjur Poterës që me pension le të vazhdojë ai, pasi që është edhe invalid i UÇK-së. Në një përballje televizive kandidati i LDK-së ka shprehur dyshimin nëse Potera si invalid i UÇK-së do të mundë të udhëhiqte një komunë. Veliu ka thënë se ka dëgjuar që Potera e ka zhveshur një herë uniformën gjatë luftës. Nga ana tjetër, Potera ka thënë se i plagosur ka qenë në trup dhe se trurin e ka shumë mirë. Ndërsa për uniformën ka thënë se e ka zhveshur çdo natë kur ka fjetur. E nëse arrin të zgjidhet kryetar i Podujevës, vendimi tij i parë ka thënë se do të jetë rishikimi i të gjitha kontratave me vlera të mëdha që i ka realizuar komuna në mandatin e fundit.

“Arsimi është prioriteti i qeverisjes tonë. Ne do të ndërtojmë shkolla dhe çerdhe cilësore dhe jo partiake do të angazhohemi për rritje të cilësisë në arsim, përmes një procesi rigoroz dhe transparent të përzgjedhjes së mësimdhënësve. Do t’i pajisim shkollat me kabinete dhe laboratorë, kënde leximi, do të investojmë në pajisje shkollore, do të ketë shujta për nxënësit, do të ndërtojmë çerdhe mbi baza në komunitet në Kërpimeh, në Lluzhan, në Orllan dhe në Podujevë”, ka theksuar Potera.“Do të funksionalizohen të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, do të pajisen me infrastrukturë sipas standardeve dhe me pajisje dhe materiale të nevojshme shëndetësore. Për çdo fëmijë të porsalindur do të ketë mbështetje nga 100 euro për nënat si mirënjohje për këtë banor të ri që e kemi në komunën tonë. Bujqësia është mundësia dhe shansi ynë për zhvillim ekonomik dhe punësim. Ne do të rrisim subvencionet në bujqësi, blegtori dhe bletari. Do të ketë këshilla profesionale për bujqit në terren.

Potera ka premtuar gjithashtu zhvillimin e një programi për punësim sezonal për të rinjtë nga familjet me asistencë sociale.

“Do të zhvillojmë dhe do të hapim një treg të përbashkët dhe bashkëkohor në një vend të përshtatshëm për prodhuesit vendorë. Do t’i ndalim ndërtimet pa leje, do t’i ruajmë tokën bujqësore, pyjet dhe ambientin. Zotohemi se me tërë kapacitetin tonë do të jemi në shërbim të njerëzve të zakonshëm pa asnjë dallim, pa shikuar bindjen dhe përcaktimin e tyre”, ka thënë ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme