Kastrati VS Surdulli

Qytetarët e Komunës së Kamenicës do të kenë mundësi që me votën e tyre më 19 nëntor të përcaktojnë se kush do të jetë kryetar i komunës për 4 vjetët e ardhshëm. Në garën e balotazhit përballen Qëndron Kastrati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe Shaip Surdulli nga radhët e LDK-së. Të dy kandidatët kanë zhvilluar një garë të ashpër për të bindur votuesin se programi i tyre është drejtimi i duhur qeverisës për Kamenicën.

Qëndron Kastrati, një figurë e re politike, qysh në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit arriti që të marrë 5 mijë e 970 vota apo 33,69 përqind të votave të elektoratit. Ndërkaq Shaip Surdulli mori 5 mijë e 102 vota apo 28,79 përqind të elektoratit. Kastrati deri tani ka lidhur koalicion vetëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Surdulli ka lidhur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Kosovën e Re. Të dy kandidatët që synojnë marrjen e timonit të Komunës së Kamenicës gjatë fushatës elektorale kanë hedhur akuza të ndryshme ndaj njëri-tjetrit.

Qëndron Kastrati gjatë fushatës elektorale ka deklaruar se kundërkandidati i tij nuk meriton të jetë kryetar komune meqë në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2013 ai ka pësuar disfatë. Ai thotë se qytetarët e Kamenicës janë në kërkim të ndryshimit të qeverisjes komunale. Kastrati në fushatën e tij elektorale ka premtuar realizimin e një varg projektesh, me të cilat do të zgjidheshin brengat e qytetarëve. “Në Kamenicë do të ketë ujë të pijshëm 24 orë, meqë do të do të indetifikojmë burime të reja të ujit dhe se Kamenica do të ketë një mjedis të pastër meqë do të ndërtojmë kolektorë, ku edhe do të bëhet trajtimi i ujërave të zeza. Në mandatin tonë do të krijohet edhe një njësi për menaxhimin e mbeturinave. Do të ndërtohet edhe sheshi i qytetit. Sa i përket sektorit të arsimit, ne do të ofrojmë shujta falas për nxënësit, dollap personal për nxënësit nëpër shkolla, si dhe realizimin e kontrolleve shëndetësore”, ka thënë ai

Kastrati bashkimin e këtyre tri partive kundër tij e quan koalicion të frikës dhe nuk beson se do të ketë përmbysje të rezultatit, meqë beson se qytetarët e Kamenicës tashmë kanë vendosur për ndryshimin. Ai ndërkaq është zotuar se do të investojë në përmisimin e infrastrukturës shëndetësore dhe funksionalizimin e shërbimeve mjekësore, rritje të transparencës komunale në raport me qytetarë dhe zhvillimin e bujqësisë. “Ne zotohemi se do të aktivizojmë repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrisë , si dhe të gjitha ambulantat shëndetësore do të furnizohen vazhdueshëm me barna esenciale, si dhe rinovimi dhe modernizimi i objekteve shëndetësore. Çdo tre muaj do të publikohen raportet financiare dhe se për projektet komunale do të jenë në vendimmarrje edhe banorët e lokaliteteve. Sa i përket sektorit bujqësor, toka komunale prej 12 mijë e 600 hektarë, e cila është e pashfrytëzueshme sipas ligjit, do të jepet në shfrytëzim dhe zotohet se do të pesëfishohen subvencionet. Ndërsa sa i përket sektorit të kulturës, do të rinfunksionalizojmë kineamë dhe do të krijojmë një fond për mbështetje për gjurmimet arkeologjike”, ka thënë ai

Ndërkaq Shaip Surdulli, nga radhët e LDK-së, tenton që të rikthehet në krye të komunës me argumentin se ka përvojë në qeverisjen komunale. “Programi ynë qeverisës për zhvillim ekonomik në katër shtylla kryesore: bujqësi, industri, tregti dhe turizëm”, ka thënë Surdulli. Ai, gjithashtu, ka premtuar se do të punojë në ngritjen e cilësisë në shumë sektorë, siç është sektori komunal i arsimit. “Programi ynë bazohet në një strategji gjithëpërfshirëse në ngritjen e cilësisë ne arsim i bazuar në menaxhimin dhe udhëheqje profesionale, në ofrimin e infrastrukturës për një mësimdhënie më të mirë, si dhe pajisjen me kabinete te nevojshme, duke iu përshtatur kurrikulave të Ministrisë së Arsimit, përgatitjen profesionale dhe trajnime për mësimdhënës, si dhe hapjen e drejtimeve të reja profesionale, të cilat u përshtaten kërkesave të tregut në komunën tonë”, ka shtuar ai

Kandidati i LDK-së është zotuar se do të zgjidhë problemet që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, do të investojë në ndërtimin e sistemit të ujësjellësit nëpër vendbanime, si dhe zgjidhjen e problemit me ujërat e zeza.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme