Ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh kryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet, por jo në këtë periudhë.
Pacolli, në një interviste për të përditshmen serbe “Telegraf.rs”, ka thënë se problem primar për Kosovën aktualisht është demarkacioni me Malin e Zi.
Sipas tij, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet patjetër të vazhdojnë në Bruksel. Megjithatë, ai thotë se marrëveshjet e nënshkruar ndërmjet dy shteteve duhet të zbatohen nga dyja palët, e jo vetëm njëra, transmeton Indeksonline
“Mendoj se do të formohet asociacioni. Por ju e dini, ne kemi disa probleme në Parlamentin tonë. Tani kemi një problem me demarkacionin me Malin e Zi. Ju e dini shumë se jemi në procesin e liberalizimit të vizave. Mendoj se gjithçka që është rënë dakord në Bruksel duhet të zbatohet nga Beogradi dhe Prishtina. Duhet të kryhen detyrime”, ka thënë ai.