20 Shtator 2016 / E Marte / 10:17
Raportuesi Special i OKB-së për të drejtat e njeriut të personave të zhvendosur, Chaloka Beyani, iu ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ndërmarrin iniciativa si dhe t`i shtojnë përpjekjet për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur tashmë e 17 vjet .
Ai njëherit ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që t`i mbështes këto përpjekje, transmeton Klan Kosova.
Zyrtari i Kombeve të Bashkuara pas një vizite pesëditore që e zhvilloi javën e shkuar në Kosovë e Serbi e përshkroi situatën aktuale të personave të zhvendosur si një “qorrsokak”, duke theksuar se është e nevojshme për të bërë përpjekje të konsiderueshme në mënyrë që të adresohet në mënyrë efektive kjo çështje, njofton Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Refugjatë të KB-së, në Serbi ende jetojnë 88.000 të zhvendosur, kurse në Kosovë 16,000 sish të cilët nuk kanë zgjidhje të përhershme, raportojnë mediat serbe, përcjellë Klan Kosova.