Retorika politke për thellimin e bashkëpunimit, pasurohet dukshëm në data të caktuara historike, siç është edhe 28 Nëntori, Dita e Flamurit të shqiptarëve.
Megjithatë, në praktikë, bashkëpunimi mbetet më i ngushtë sesa që prezantohet në diskutimet dhe debatet publike ndërmjet dy shteteve.
Autoritetet në Kosovë thonë se marrëveshja për nxitje dhe lehtësim të tregtisë, e nënshkruar tani e sa vite ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nuk ka gjetur zbatim të duhur.
Sytrime Dervisholli, udhëheqëse e Departamentin për Tregti në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha për Radion Evropa e Lirë se ka hapësirë që të bëhet një fuqizim më i madh i raporteve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Kosova dhe Shqipëria kanë një marrëveshje për nxitje të ndërmjetësimit të tregtisë, që e cila realisht nuk mund të themi se është plotësuar në tërësinë e saj, ashtu siç është negociuar dhe zotuar nga të dyja palët. Në këtë aspekt ka ende hapësirë që të bëhet një fuqizim më i madh i raporteve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kur kihet parasysh se ka shumë fusha dhe shumë produkte, ku të dyja vendet janë konkurruese, dhe mund ta plotësonin tregun e njëra tjetrës me produkte specifike në veçanti me ato sezonale”, thotë Dërvisholli.
Kosova, shton Dërvisholli nuk është ajo e cila nuk ka zbatuar marrëveshjen për nxitje të ndërmjetësimit të tregtisë, por që, sipas saj, barrierat tregtare çdo herë janë vendosur nga Shqipëria.
“Viteve të fundit është vërejtur një vëllim më i shtuar i vendosjes së barrierave nga ana e Shqipërisë karshi Kosovës. Barrierat tregtare më të theksuar janë në produktet bujqësore. Kemi mjaft raste ku raporti i analizave në kualitet i lëshuar nga laboratorët relevant të Kosovës nuk njihet nga autoritetet e Shqipërisë. Kemi edhe aplikim të çmimeve referente ndaj produkteve bujqësore me orgjinë kosovare më se shumti me rastin e patateve. Së fundi kemi pasur rastin e vezëve, ku një sasi enorme e vezëve të importuara nga tregu i Shqipërisë kanë hyrë në Kosovë, duke shkaktuar pasoja në tregun tonë”, thotë Dërvisholli.
Në disa raste barriera të caktuara tregtare që janë venduar nga shteti i Shqipërisë produkteve nga Kosova, shton Dërvisholli, nuk kanë arritur të zgjidhen nga nivelet e shërbyese dhe është dashur të ketë ndërhyrje politike.
Ministria e Tregtisë, thotë ajo në të gjitha rastet do të shfrytëzon të gjitha format e dialogut që të zgjidhet një barrierë tregtare para se të merret vendimi i fundit, e që në këtë rast është vendosja e masave reciproke.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit e produkteve të cilat importohen nga Shqipëria në vit kapin vlerën e mbi 100 milionë euro, derisa vlera e produkteve të Kosovës që janë eksportuar në Shqipëri janë mbi 42 milionë euro.
Në anën tjetër, edhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë tregojnë se në vazhdimësi përballen me barriera që vendosen nga ana e autoriteteve të Shqipërisë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive, të Kosovë dhe Shqipërisë, nuk kanë arritur efektin e duhur.
“Marrëveshjet e bëra në fushën e bashkëpunimit ekonomik që kanë pasur për qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare fatkeqësisht nuk kanë arritur efektet e duhura për shkak të barrierave që vendet iu kanë vënë njëra-tjetrës edhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve. Vazhdojmë të kemi ankesa nga ana e kompanive, përkitazi me barriera të caktuar në momente të caktuara, qoftë për prodhuesit e lëngjeve apo produkteve tjera”, thotë ai.
Bizneset në Kosovë, thotë Zeka ankohen se e kanë të pamundur të depërtojnë në tregun e Shqipërisë.
“Bizneset nga Kosova edhe nëse vendosin të investojnë në tregun e Shqipërisë, mbijetesa atje është pothuajse e pamundur në një periudhë më të gjatë. Bizneset e tilla janë nga sektori i shërbimeve, teknologjisë së informacionit. Të gjitha këto biznese pas vitit të parë ose të dytë të operimit nuk kanë mundur të vazhdojnë më në tregun e Shqipërisë”, thotë Zeka.
Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunim ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.
Përveç këtij protokolli bashkëpunimi, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në fusha të veçanta.