Qeveria e Kosovës ka shmangur legjislacionin në fuqi për ta shtyrë përpara projektin për gazifikimin nëntokësor të qymyrit të Kosovës nga kompania e gjeneralit Wesley K. Clark.
“Enviditi”, siç edhe quhet edhe kompania e gjeneralit Clark, synon ta marr çerekun e Kosovës për shfrytëzim të qymyrit nga i cili do të prodhoj gaz e energji elektrike.
Tashmë projekti ka marrë dritën jeshile nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik.
Por, Gazeta Fjala ka siguruar raportin e Ministrisë se Financave, në të cilin janë dhënë vërejtjet e Komisionit për Miniera dhe Minerale, lidhur me shkeljet ligjore dhe hapat që duhet ndjekur deri në zbatimin e tij.
Në lidhje me projektin “Envidity”, KPMM-ja ka gjetur se shkelja më e madhe ligjore është tek sipërfaqja që kompania ka kërkuar ta këtë në dispozicion për eksploatim të qymyrit. Kjo ishte edhe arsyeja se pse kompania “Envidity” nuk ka marrë licencë që nga vitit 2013 kur edhe kishte aplikuar.
Clark kërkon çerekun e Kosovës
Me Ligjin për Miniera dhe Minerale, asnjë kompani nuk mund të mbajë licencë të hulumtimit më shumë se 300 kilometra për katrorë, derisa projekti i kompanisë “Envidity” do t’i shkojë Kuvendit me kërkesën për sipërfaqe mbi 3 mijë kilometra.
“Ligji për Miniera dhe Minerale, neni 21 pika 2.2 thekson që asnjë licencë e hulumtimit nuk mund të jetë më e madhe se 100 km, ndërsa pika 2.5 e po të njëjtit nen thekson se asnjë person kompani nuk mund të mbajë licencë të hulumtimit më shumë se 300 km, prandaj duke pasur parasysh që kërkesa e kompanisë Envidity kalon 3000 mijë kilometra, KPMM-ja sugjeron që të kërkohet nga kompania modifikimi i kërkesave në përputhje me Ligjin për Miniera dhe Minerale”, thuhet në raportin e Ministrisë se Financave, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala.
Por edhe pas kalimit të projektit në Kuvend, kompania Envidity sërish duhet të marrë licencë në KPMM, e cila licencat i lëshon në bazë të Ligjit për Miniera dhe Minerale.
Më tej, KPMM rekomandon që në rastin e miratimit të kërkesës, kompania të kushtëzohet që pas përfundimit të hulumtimeve të kufizojë kërkesën për shfrytëzim vetëm në sipërfaqen e cila ka rezervat e mjaftueshme për zhvillimin e projektit, ndërsa zona tjetër të lirohet për projekte me interes të Republikës se Kosovës.
Megjithëkëtë, KPMM në të njëjtin raport ka konstatuar se ky institucion do t’ia jap licencën kompanisë se Clarckut, nëse për këtë paraprakisht vendos Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi. Në bazë të ligjit, kjo kompani duhet ta reduktoi sipërfaqen nga 3000 në 300 km katrorë për tu pajisur me licencë.
Por, Qeveria e ka shtyrë përpara tashmë projektin, i cili pritet shumë shpejt t’i shkojë Kuvendit për miratim me gjithë vërejtjet e komisionit për Miniera dhe Minerale për tejkalim të sipërfaqes.
Projekti rrezikon ujërat dhe tokën
Në raportin e Ministrisë së Financave që e ka siguruara Gazeta Fjala tregohet po ashtu se nga projekti i kompanisë mund të ketë ndotje edhe të ujit dhe tokës.
Madje në të dyja këto raste bëhet e qartë edhe rreziku që mund të vije nga kjo ndotje.
Ndotja e ujit sipas këtij raporti nuk mund të mohohet, bile ajo mund të jetë evidente në çdo kohë.
“Natyrisht ndotja e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqeve, nuk mohohet si mundësi, por faktet e publikuara tregojnë se nga 34 projekte pilote UCG te realizuara në Amerikën e Veriut, vetëm në dy prej tyre kanë rezultuar me ndotje te ujarëve të zeza”, thuhet në këtë raport.
Aty gjithashtu është treguar se edhe ndotja e tokës mund të behët me këtë projekt.
“Në përfundim, mund të thuhet se ndotja e mjedisit nga procesi i UCG, është i mundësohem, por nuk është konstant dhe niveli i saj në cilës e sa natyrore varet nga aftësia dhe profesionalizmi në implementimin e tij…”.
Ndërkaq, në raport thuhet se sa i përket implementimit, sipas këtij propozimi, Envidity do të implementojë projektin në dy faza. Në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1,200 barel derivate për ditë, kurse në fazën e dytë synon të prodhojë 20,000 barel derivate për ditë”
“Operatori Envidity, në dokumentet e dorëzuara ka ndikuar se mund të këtë projekt i cili do të rezultojë me ndërtimin e kapaciteteve për prodhimtarinë e energjisë elektrike”.
Ndryshe, kompania “Envidity”, në projektin e prezantuar ka thënë se do të investojë si fillim 30 milionë euro, derisa më vonë investimet do të jenë varësisht prej fazave të projektit, si dhe do të punësojë qindra punëtorë.