Të gjitha dokumentet që u sekuestruan pa vendim gjykate nga Arkivi i Shtetit, e që u përdoren nga Prokuroria për Krime të Rënda, gjatë hetimit parapenal për dyshimet e dosjes së manipuluar të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, po vazhdojnë të mbahen kundërligjshëm nga prokurori, Kujtim Munishi.
Kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë ditë që kur kanë pushuar hetimet, por dokumentet ende vazhdojnë të qëndrojnë në Prokurorinë e Shtetit, raporton KTV.
Ligji për Arkivin e Shtetit nuk sqaron këtë fakt, por është Kodi i Procedurës Penale ai që përcakton fatin e gjësendeve të sekuestruara.
Neni 116 i Kodit, pika 1 thotë se sendet që janë sekuestruar përkohësisht gjatë procedurës penale i kthehen pronarit ose poseduesit kur procedura pezullohet ose pushohet.
Derisa pika 2 e këtij neni qartëson po ashtu se kur mund të kërkohet afat shtesë për mbajtjen e gjësendeve të sekuestruara.
Dhe kjo ndodh kur ka gjasa të arsyeshme që hetimi i pezulluar të rifillojë. E kjo mund të bëhet vetëm përmes gjykatës, ku Prokurori i shtetit mund të kërkojë afat shtesë për sekuestrimin.
Megjithëse edhe sekuestrimi i tyre ishte bërë pa urdhër të gjykatës, vetëm me kërkesë të prokurorit Munishi edhe pse neni 112 i Kodit Penal është i qartë se sekuestrimi apo konfiskimi i provave dhe gjësendeve bëhet vetëm me vendim gjykate.
Tri ditë rresht, Kohavisioni i ka shkruar Prokurorisë së Shtetit dhe prokurorit Kujtim Munishi për të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me dokumentet që u morën nga Arkivi, por pavarësisht përpjekjes nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Dosjet nuk janë kthyer ende në Arkivin e Kosovës. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e Arkivit të Shtetit.
Drejtori për veprimtari Arkivore, Ruzhdi Panxha nuk ka dashur të flasë për KTV-në por ka theksuar se momentin e parë kur dokumentet të kthehen në Arkiv, ekipi i Kohavisionit dhe Betimi për Drejtësi do të njoftohen.
Kujtojmë që Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorit Munishi, në dy raste ka sekuestruar dosje në datat 26 tetor dhe 11 nëntor, më vendimin të prokurorit Munishi dhe nëpërmjet policit Avni Namani, ka marrë nga Arkivi i Kosovës këto dokumente:
“1. Libri mbi lejimin e provimit të judikaturës për vitet 1990/1992
2. Libri i provimit profesional i viteve 1989/90/91 3. Libri i provimeve të dhëna të judikaturës 1986 – 1993
4. Dosja e Aleksandër Lumezit
5. Mbështjellësi i kutisë së Aleksandër Lumezit
6. Provimet e judikaturës së Aleksandër Lumezit
7. Dosjet e 5 kandidatëve
8. Libri i provimit për gjykatës për kundërvajtje i viteve 1989/90/91
9. Regjistri i kandidatëve që e kanë paraqitur provimin më datë 25.12.1990 “
Hetimet parapenale për rastin e dosjes së manipuluar të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi u mbyllen më datën me 14 nëntor , pas 21 ditë hetimesh, me arsyetimin e mungesës së provave.
Prokurori Munishi kishte konstatuar po ashtu në aktvendimi, se kryeprokurori Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës.
© KOHA.