BE demanton LDK-në: Kushti për luftimin e korrupsionit s’është hequr asnjëherë

Kushti që Kosova ta luftojë korrupsionin nuk është hequr asnjëherë. Zyrtarë nga Komisioni Evropian thonë për Express se asgjë nuk ka ndryshuar që kur janë vendosur kriteret që duhet të plotësohen për vizat.

Lufta kundër korrupsionit dhe demarkacioni me Malin e Zi, duhen plotësuar, qartësojnë ata. LDK ditë më parë ka akuzuar qeverinë Haradinaj se kushti për luftimin e korrupsionit i është kthyer qeverisë së tij, ndërkohë që ishte larguar gjatë qeverisjes së Mustafës.

Komisioni Evropian i ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët deklaruan se për shkak të qeverisjes së keqe të Ramush Haradinaj, tashmë luftimi i korrupsionit i është kthyer pushtetit aktual si kusht për vizat.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar i LDK’së tha ditë më parë se luftimi i korrupsionit, si kusht për liberalizim të vizave, është kthyer prapë nga Bashkimi Evropian, derisa sipas tij, ky kusht ishte hequr në kohën kur udhëhiqte Mustafa.

Por nga zyra e Komisionit të BE’së, e kanë bërë të qartë për Gazetën Express se kriteret nuk janë ndryshuar asnjëherë. Thonë se kjo bashkë me çështjen e kufirit duhen përmbyllur.

“Kushtet kurrë nuk kanë ndryshuar. Komisioni mirëpret përmbushjen e kushteve të rëndësishme në lidhje me dënimet në rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi” kanë thënë nga kjo zyrë.

Kjo, sipas tyre, duhet të jetë një proces i vazhdueshëm.

Edhe pse Demarkacioni nuk do të nxirret për votim në kuvend këtë vit pasi sot përfundojnë punimet e këtij sesioni, me gjasë i njëjti do të dal para ligjvënësve gjatë muajit janar.

Mirëpo, sa i përket luftës ndaj korrupsionit nuk po shihet të ketë përparime. Korrupsioni i nivelit të lartë në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë dhe fenomen që po shkatërron demokracinë dhe po pengon zhvillimin ekonomik në vend, tha ditë më parë ambasadori britanik Ruairi O’Conell.

“Kurse rezultatet e luftimit të këtij fenomeni janë të padukshme, sidomos dënimet për personat e profilit të lartë janë simbolike”, u shpreh ai.

Ndryshe, edhe vetë përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë thënë se lufta kundër korrupsionit në Kosovë mbetet prioritet.

Ata kanë rekomanduar Kosovën gjatë javës kundër korrupsionit se duhet të ndërmarrin hapa në luftimin e korrupsionit, si një prej kushteve në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se zyrtarët publikë, të cilët kanë aktakuza, duhet të suspendohen nga funksionet e tyre, ndërkaq ata persona që janë të dënuar, duhet të largohen menjëherë nga puna.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme