Shpend Ahmeti pritet që ta zyrtarizojë kabinetin gjatë këtyre ditëve.
Lajmi.net ka mësuar emrat e të drejtorve të AAK-së, deri sa AKR-ja ende është duke i diskutuar emrat brenda subjektit. Drejtorët e krahut të Ahmetit, kryesisht pritet të jenë ata që kanë qenë më herët.
Përçarjet brenda VV-së janë shpalosur ditëve të fundit në opinion dhe sipas shumë njohësve, Ahmeti është radhitur në krahun kundër Albin Kurti. Megjithëkëtë, Ahmeti prapë do ta ketë në kabinet vetëm një mbështetës të fuqishëm të Kurtit, Hysen Durmishin.
Tashmë është zyrtarizuar se AAK-ja do t’i ketë tri drejtori.
Lajmi.net ka mësuar se drejtorinë e Arsimit e cila është pa drejtor që katër muaj, pritet ta udhëheqë Jonuz Salihaj, të Inspekcionit, Brahim Mehmetaj dhe të Shërbimeve Publike, Gent Begolli.
“Pos postit të nënkryetarit, ende nuk dihet saktë se cilat drejtori do t’i ketë AKR, por Besart Vllahinja është menduar të jetë përsëri drejtor i Kulturës”, ka bërë të ditur një burim brenda Komunës së Prishtinës.
Drejtorët e tenderëve
Drejtor i drejtorisë së Inspekcionit, më të cilën ka udhëhequr anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba tash do të udhëheq një biznesmen i AAK-së, i cili aktualisht është zv/ministër i FSK-së, Brahim Mehmetaj.
Mehmetaj kishte siguruar një ulëse në Kuvendin komunal të Prishtinës si asamblist i Lëvizjes për Bashkim. Pas dy viteve e kishe braktisur partinë për t’u bërë pjesë e AAK-së. Në kohën kur i ishte bashkangjitur AAK-së, kjo parti ishte në bashkëqeverisje më VV-në në Prishtinë.
Mehmetaj, kishte arritur që të fitojë një tender në vlerë prej 350 mijë eurove nga Komuna e Prishtinës. Tenderi quhej “Sigurimin fizik i objekteve të Komunës se Prishtinës” dhe ishte fituar nga kompania “Syri Group”, nga e cila kompani Mehmetaj kishte larguar emrin tij nga pronësia një muaj para se ta fitonte tenderin, për ta regjistruar më pastaj në emrin e djalit të tij, Vullnet Mehmetaj. Ndërkohë, meqë tenderi ka qenë kornizë për 36 muaj, “Syri Group” ka kontratë më Komunën deri në fund të vitit 2019.
Jonuz Salihaj, i cili pritët të zyrtarizohet nga Ahmeti si drejtor i Arsimit, që disa vite është pjesë e AAK-së. Është paraqitur si ekspert i arsimit në këtë parti. Gjatë periudhës 2006-2008 ishte Ministër i Drejtësisë.
Tani për tani, Jonuz Salihaj ushtron detyrën e drejtorit ekzekutiv ne Shkollën Fillore dhe te Mesme Private “Zenit”.
Hysen Durmishi, i cili vjen nga Suhareka nuk ishte pajtuar që më drejtorinë e Inspektoratit dhe të Arsimit të udhëheqë AAK, po VV-ja. Ai pritet të konfirmohet edhe për një mandat të dytë nga kryetari Ahmeti.
Gjatë viteve 2001-2003 ka punuar në kompaninë amerikane “Parsons”, si menaxher i terrenit në projektet infrastrukturore. Në 2003-2004 ka punuar po ashtu si menaxher i ndërtimit të objekteve në “Morina” Prizren, ndërsa gjatë viteve 2009-2010 ka qenë menaxher i ndërtimit në N.N.P “SOPI”-Prizren. Ndërkaq, kompania “Sopi” gjatë qeverisjes së Durmishit me drejtorinë e Infrastrukturës në Prishtinë ka marrë disa tender për asfaltim të rrugëve. Vlera e tenderëve kap shumën 1.2 milion euro.
Drejtoresha e larguar nga AKP-ja konfirmohet përsëri
Nora Kelmendi e ka udhëhequr për katër vite drejtorinë e Kadastrit. Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti e kishte emëruar në kabinetin e tij një drejtoreshë që në Agjencinë Kosovare të Privatizimit ishte larguar nga puna për mosefikasitet në punë. Nora Kelmendi, drejtoreshë e Kadastrës, ishte përjashtuar nga Agjencia në vitin 2011.
“Nora Kelmendit nuk i është vazhduar kontrata nga AKP-ja në pozitën e drejtorit të Departamentit të shitjes në kuadër të Divizionit të Realizimit të Aseteve që nga 1 janari 2011. Ky vendim është marrë nga menaxhmenti i Agjencisë pas shqyrtimit të vlerësimeve të rezultateve të treguara në punë të personelit të Agjencisë më datë 30.11.2010”, kishte bërë më dijë AKP-ja për një medie në vitin 2014.
Drejtoresha e Kadastrës ka pasur pozitë boshte në administrimin e agjencisë nga Ahmet Shala dhe i ndjeri Dino Asanaj. Në vitin 2003 ka filluar punën në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), ku ka punuar si zyrtare e privatizimit, e më pas si udhëheqëse e njësisë për relacione me investitorë. Punën e saj e ka vazhduar edhe për 4 vjet të tjera në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). Aty ka qenë drejtoreshë në Departamentin e Shitjes, ku detyrë kryesore kishte udhëheqjen dhe menaxhimin e përgjithshëm të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. Si drejtoreshë ka pasur pagë mujore 1536 euro.
Arben Vitia, puna e të cilit është vlerësuar në shëndetësi, do të jetë përsëri drejtor i Shëndetësisë. Fillimisht ka punuar si këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe po në këtë pozicion ka punuar edhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010, ai është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE ku angazhohet në Komitetin për shëndetësi.
Ardian Olluri e kishte zënë vendin e Liburn Aliut si drejtor i urbanizmit më tu emëruar deputet. Ai do konfirmohet përsëri në krye të urbanizmit, drejtori për të cilën kishte apetite AKR-ja. Deri para se të emërohej në këtë detyrë, Olluri ka qenë shef i Zyrës ligjore në Komune dhe në këtë pozitë kishte ardhur në mënyrë të dyshimtë pasi që ka pasur disa lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Muhedin Nushi, i cili vlerësohet si njëri ndër drejtorët më të suksesshëm të Ahmetit, përsëri do të udhëheqë më drejtorinë e Administratës. Fillimisht ka punuar në Institutin për Hulumtime Shkencore dhe Zhvillim në Obiliq nga viti 1985 deri në vitin 1990. Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ka qenë i punësuar në Bankën Ekonomike me seli në Gjakovë, dhe pastaj edhe në Prishtinë. Nga viti 2000 deri në vitin 2006 ka qenë i kyçur në projekte të ndryshme me institucionet e huaja – me Bankën Botërore në projektin e implementuar nga FAO projekte të BE-së pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Entit të Statistikave të Kosovës si dhe në disa projekte pranë UNDP, HELVETAS, USAID etj. Nga viti 2006 deri ne vitin 2013 ka udhëhequr Departamentin e Teknologjisë Informative në Bankën Ekonomike.
Emrin e të vetmit nga AKR-ja që Ahmeti e ka në tavolinë është Besart Vllahinja. Ai ka udhëhequr më drejtorinë e Kulturës për rreth dy vite Në vitin 2010, ishte inkuadruar në Sistemin Gjyqësor të Kosovës, duke vazhduar si pjesë e tij deri në fund të vitit 2013. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë pjesë e projekteve për digjitalizimin dhe modernizimin e sistemit gjyqësor të vendit. Në tetor të vitit 2012, është angazhuar si asistent akademik për lëndët e Informatikës në Kolegjin “AAB”. Në janar të vitit 2014, bëhet pjesë e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, si udhëheqës i teknologjisë informative. Viteve të fundit është bërë pjesë e strukturave të AKR-së.
Nga kampi i Ahmetit, përsëri më drejtorinë e planifikimit strategjik dhe zhvillimit të qëndrueshëm do të udhëheqë Genc Bashota. Ka punuar si ligjërues në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Vazhdon të punojë si ligjërues në Universitetin AAB në lëndët Makroekonomi. Ka përvojë edhe në biznesin privat si dhe ka qenë i përfshirë në menaxhimin e disa projekteve sidomos në fushën e investimeve në industri përpunuese dhe bujqësi, si dhe në transferimin e teknologjive të huaja.
End nuk ka një marrëveshje se kush do të udhëheqë më drejtorinë e Financave, të Bujqësisë dhe Pronës, ku dy të parat është përfolur se mund t’i lihen AKR-së./Lajmi.net/