Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e ka përkrahur fort dhënien e nënshtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Pasi e ka uruar Kryepeshkopin në Katedralen Ortodokse, Kryemadhi, e pyetur nëse ishte dakord me dhënien e vendimin e Presidentit, u shpreh:
“Sigurisht që jam dakord, mos harrojmë që është një nga vendimet më të vonuara që bën politika shqiptare; kam përshtypjen që Janullatos e do më shumë Shqipërinë se ç’e ka dashur ndonjëherë politika shqiptare.”
Kryemadhi uroi me rastin e festës, të gjithë qytetarët shqiptarë, duke filluar nga gazetarët:
“Në rradhë të parë ju uroj juve Krishtlindjet që në këtë ditë feste jeni në krye të detyrës dhe Zoti jua njeh akoma dhe më shumë mundimin dhe sakrificat. Por nëpërmjet jush dua t’ju uroj dhe gjithë shqiptarëve këto Krishtlindje që të jenë sa më të mbara me sa më shumë dashuri, paqe, mirësi dhe begati shqiptarëve.
Gjithashtu nga kjo Katedrale dua t’ju uroj shqiptarëve dhe Vitin e Ri bashkarisht sepse është shumë shumë e rëndësishme që në këtë ditë të shënuar në lindjen e Krishtit të kemi mbarësi, të kemi paqe dhe të kemi zhvillim më shumë për shqiptarët, për familjet tona, për fëmijët tanë të cilët meritojnë më shumë. Ju uroj Krishtlindjet, mbarësi, begati në familjet tuaja.”