Deklaratat kontradiktore nga qeveria për vizat dhe Demarkacionin!

Kosova tash e tri vite po mbetet peng i ratifikimit të marrëveshjes së Demarakcionit me Malin e Zi, që njëherësh është kushti kryesor për liberalizimin e vizave.

Kjo çështje ka qenë një nga zotimet kryesore edhe të qeverisë Haradinaj,  por që deri tani përveç procedimit në Kuvend nga kryeministri, nuk ka pasur ndonjë zgjidhje.

Madje gjatë fushatës lideri i AAK-së kishte premtuar se kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm qysh pas tre muajsh që ai merr qeverisjen.

Por brenda pak ditëve, pikërisht nga zyrtarë të lartë të qeverisë kemi deklarata të ndryshme sa i përket liberalizimit të vizave dhe demarkacionit.

Kryemnistri Haradinaj tha gjatë javës së kaluar se nëse Parlamenti e rrëzon këtë version, atëherë do të gjendet një zgjidhje.

“Sa më shpejt që e rrëzon Parlamenti nëse e rrëzon në rastin konkret, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje”, ka thënë shefi i qeverisë kosovare.

Ky i fundit gjithashtu e ka lënë të hapur edhe mundësinë që shenjëzimi i kufirit me Malin e Zi të dërgohet në Arbitrazh.

E vartësi i Haradinajt, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj është shprehur optimist se demarkacioni do të mbyllet në janar.

Sipas Limajt, Parlamenti do ta marrë vendimin e duhur për këtë çështje.

“Unë pres që në muajin e ardhshëm do të shkojmë dhe do ta kemi shumicën në Parlamentin e Kosovës për ta përmbyllur këtë çështje”, ka thënë Limaj në një intervistë për Rtv21.

E në rast se demarkacioni nuk miratohet në janar, zëvendëskryeministri tjetër, Enver Hoxhaj kishte paralajmëruar se kosovarët do të mbesin të izoluar deri në vitin 2019.

Sipas Hoxhajt, shenjëzimi i kufirit me Malin e Zi duhet të kryhet, dhe versioni aktual është gjendja faktike në terren.

Për këtë çështje ditë më parë është prononcuar edhe ministri i jashtëm Behgjet Pacolli.

Ai kishte thënë se nëse miratohet në janar demarkacioni, atëherë vizat do të hiqen në qershor.

Ndryshe për këtë problem gjatë muajit të parë të viti 2018 në Kosovë pritet të qëndrojë edhe kryeministri malazez, Dushan Markoviq.

Temë kryesore pritet të jetë demarkacioni dhe zgjidhja me konsensus nga të dyja palët.

Bashkimi Evropian veç demarkacionit, kusht tjetër për Kosovën e ka vendosur edhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. /Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme