‘Plani’ që ishte dakorduar disa muaj më herët në njërën nga tavolinat e një restoranti të Prishtinës, ku të pranishëm ishin edhe politikanë të fuqishëm shqiptarë nga Prishtina e Tirana, persona me ndikim të huaj, që njihen si lobist amerikan, po ‘udhëtonte’ drejt realizimit krejt papritur të premten mbrëma.
Nga darka e shoqëruar me verë e ushqim, kishte rrjedhur edhe plani i saktë dhe data kur ai do të implementohej, shkruan Gazeta Blic.
Nëse gjithçka do të shkonte deri në detajin e fundit ashtu siç u planifikua, vikendi do ta gjente Kosovën në një fazë krejt të re dhe përplot të panjohura: pa Gjykatën Speciale, por me një ndarje të thellë, për herë të parë në historinë e shkurtër të shtetit tonë, me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe më shumë pikëpyetje emergjente mbi të ardhmen e shtetit.
Lëvizja nuk ishte tërësisht e fshehur dhe aq konspirative sa ndokujt mund t’i dukej. Ishte e paralajmëruar, por njëkohësisht aq e madhe se edhe tërësisht e pabesueshme, shkruan Gazeta Blic.
‘Retë’ e besueshmërisë filluan të hapën pakëz vetëm 2 javë më parë, atëherë edhe kur depërtoi në media dhe u shpërnda gjithandej lajmi se Shoqatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mblidhnin nënshkrimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Ligji ishte bërë gati dhe po mbahej brenda sirtarëve për t’u nxjerrë në momentin që do të siguroheshin votat për ta votuar në Kuvend. Kishte saktësisht aq rreshta sa duheshin- 2 dhe i pari anulonte Ligjin për Dhomat e Posaçme.
Ndonëse heshturazi, përgatitjet për zbatimin e planit nuk ishin ndalur në asnjë moment. Derisa qytetarët, mediat e politikanët e papeshë, po numëronin votat nëpër lagje e skuta të Kosovës, në muajt që patëm në mes, gjithçka ishte bërë gati për të siguruar votat dhe të njoftuar ishin të gjithë ata që duhej të dinin.
Partnerët në Qeveri e dinin dhe ishin pro.
LDK dhe lideri i saj, Isa Mustafa ishte i informuar dhe nga ai pritej që të mos ishte pengesë, VV po dobësohej nga brenda, ndërsa edhe nga ajo kishte pritje që të mos kundërshtonte shkatërrimin e Speciales, madje nëse për asgjë, për arsye krejt parimore.
Ambasadorët kryesor të Quintit, poashtu ishin në dijeni për këtë synim.
Edhe ata e kundërshtonin, por nuk e besonin. Shpresonin se votat nuk ishin. Kryeministri dhe Presidenti disa herë u kanë thënë se Gjykata Speciale mund të suspendohet. Atëbotë, ata kishin të drejtë- jo të gjithë brenda koalicionit ishin për zhvlerësimin e Speciales- në këtë mes edhe disa nga figurat kryesore të PDK-së dhe AAK-së.
“Lobistët” nuk e kishin ndalur punën e tyre rreth dhe me Shtëpinë e Bardhë, nëse për asgjë tjetër, atëherë të paktën për ta shpjeguar veprimin dhe menaxhuar dëmin.
Deri këtu gjithçka shkonte në mënyrë të përsosur sipas planit të ideuar.
Kosova po ballafaqohej me anulimin e një të keqeje të ditur, përmes shkaktimit të një të reje, pasojat e së cilës nuk i dimë ende. Për herë të parë vendi po merrte një veprim që ishte në kundërshtim me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kosova po e sfidonte kështu, hera e parë nga brenda, pavarësinë e saj.
Po e testonte nëse e kishte apo nuk e kishte dhe nëse do ta mbante.
Liderët e vendit, kush më shumë e kush më pak, ishin gati për këtë hap. Ishin gati për bastin e madh e me shumë të panjohura. Në tjetrën anë të tyre qëndronte vetëm një opsion- mbetja potenciale e vendit pa lidershipin aktual- me ndonje përjashtim. Sot lexojme gjithçka, por askush nuk i din emrat e saktë, asnjë aktakuzë nuk është gati, por gjithashtu askush nuk e ka helmetën e sigurise mbi kokë, shkruan Gazeta Blic.
Ajo çka dihet që në një formë apo tjetër do të trajtohen të gjithë udhëheqësit e luftës si dhe pushtetit të pasluftës. Disa të akuzuar, e të tjerët dëshmitarë- por askush nuk e di se kush në cilin grup bën pjesë. Të përjashtuarit nga akuza madje do të ishin edhe të dënuarit e parë- pa gjyq real, por me gjykimin e secilit, edhe të opinionit. Këta do të ishin të dënuarit e ndërgjegjës- tradhtarët e të pabesët e luftës dhe paqes. Ata që shokët i dorëzuan, për rehatinë e tyre.
Andaj, nuk kishin zgjidhje tjetër në mendjen e ture. Ruleti duhet të luhej. Vendi ishin ata, e ata ishin vendi- në sytë e tyre.
Duhej vetëm kuorumi dhe pak vota- e ato besohej se tashmë ishin aty. Duhej edhe që Ambasadorët e Quintit, së paku ata më të rëndësishmit, t’i kenë paketuar valigjet dhe të ktheheshin në vendlindje për të festuar Krishtlindjen. Duhej zënë gafil ambasadorët kryesorë të Quintit- Ambasadori Amerikan, ai Britanik, Gjerman dhe Francez.
Të gjithë këta përfaqësues të shteteve që kanë jo vetëm fuqinë më të madhe globalisht, por edhe ndikimin më të madh kudo në Kosovë- edhe në Kuvend dhe jashtë tij. Veçanërisht duhej kurthuar Ambasadori i SHBA-ve, dhe atë për disa arsye. E para, sepse SHBA ishin dhe janë bartësit jo vetëm të shtetësisë së Kosovës, por edhe të themelimit të Gjykatës Speciale. Po të mos ishin ata, ajo nuk do ishte themeluar as së pari.
Nëse ktheni shiritin prapa, do të kujtoni se pasi dështoi herën e parë Ligji, ishte kthyer në Kuvend për rivotim brenda javës. Opozita po protestonte në rrugë, por nuk pati guximin ta përdorte Gazin Lotsjellës në atë seancë. shkruan Gazeta Blic.
Deputetët kishin marrë paralajmërime serioze se nuk guxojnë ta dështojnë miratimin e ligjit.
“Mund t’i sjellim edhe Marinsat në Kuvend”, u kishte thënë disa deputetëve një mysafir anglishtfolës.
Arsyeja e dytë, ishte se me ndërrimet e fundit në Shtëpinë e Bardhë si dhe për shkak të krizave që kanë kapluar tërë botën, i vetmi përfaqësues i SHBA-ve në Kosovë është Ambasadori i saj. Nuk ekziston një vijë paralele, sikur janë mësuar shpesh liderët e Kosovës, dhe as autoritet tjetër perveç tij. Fjala e Ambasadorit Greg Delavie ishte fjala e SHBA në Kosovë, dhe e Kosovës në Amerikë.
Delaëie dhe të tjerët ishte parakusht që të mos ishin këtu, që të mos mund të parandalojnë gjë, por të reagojne pas aktit.
Ambasadorët nuk ikën, ndërsa premtuesit e tjerë, dhe këtu thyhet gjithçka.
Mediat kryesore liberale u alarmuan e me këtë edhe opinioni publik dhe shoqëria Civile. Gjithçka ishte bërë aq në nguti e pa sens politik, sa që dukej si një “klandistenim” i institucioneve. Delawie ishte mbyllur në Kuvend dhe shumë aktiv në komunikim edhe me lidershipin, opozitën por edhe shoqërinë civile. Ai edhe fjalinë e ashpër “Thikë shpine ndaj Amerikës”.
E shoqëroi edhe më fuqishëm Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connelly, kur alarmoi: Kjo është nata më e rrezikshme për Kosovën që nga koha e luftës.
Nga jashtë gjithçka dukej sikur fati i të gjithëve po vendosej në rrezik. Deputetët që nënshkruan marrëveshjen dhe shefat që po tentonin të organizonin votimin e shkatërrimin e Speciales, ngjanin me disa Zombie që kishin mësyer shkatërrimin e vendit. Filluan edhe peticionet nga oponionistët, udhëheqës mediash e të Shoqërisë Civile, që ftonin të mos luhej me fatin e vendit.
Atmosfera ishte kundër, armiku i vendit ishte brenda dhe i identifikuar. Kjo filloi jo vetëm ta zhdukë kuorumin që duhej ndërtuar përmes opozitës por edhe votën e partnerëve.
U bë refuzues Isa, u fut në konfuzion VV-ja, si dhe u filluan të tërhiqen edhe partnerët.
Ndërroi veprim Limaj, ndërsa Pacolli pas bisedave të tërthorta me Ambasadorët kishe përmendur edhe daljen nga Qeveria. Të gjithë përveç Ramushit, qe mbeti edhe kësaj radhe peng i fjalës së dhënë. Dhe Presidentit të Kosovës- atij që opinioni e sheh njejtë si kur është për ashtu edhe kundër Gjykatës Speciale. Atij që opinioni i sheh gjithçka si përpjekje personale.
Beteja e Presidentit megjithatë nuk ka mbaruar.
Funksionimi i Gjykatës Speciale, nuk do të jetë i njëjti më asnjëherë, edhe nëse Kuvendi nuk e nguc asnjëherë. Tërheqja nga ajo e partnerëve themelues, do të ketë pasoja në potencën e saj. Pushtetet dhe të pushtetshmit, zor që mund të konsiderohen ata që mbajnë në këmbë atë. Kjo paraqet një ndryshim edhe për faktorët kryesorë ndërkombëtarë. Partnerët e tyre sot janë opozita, mediet, shoqëria civile- pra qytetari i Kosovës.
Deri këtu, i kishin të pushtetshmit, tash i kanë të izoluarit edhe të tyre. Të burgosurit e pafajshëm, qytetarët e Kosovës – që duhet liruar nëse për asgjë tjetër- sepse ishin ata që shpëtuan Kosovën që kurrë nuk ishte më e rrezikuar, sikur e thanë ata vetë