Braktisja e bllokut VLAN nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe hyrja e kësaj partie në koalicion qeveritar më PDK-në, vazhdon të jetë temë e diskutimeve brenda dhe jashtë kësaj partie.
Një pjesë vlerësojnë se vendimi i asaj kohe ishte i drejtë, ndërsa një pjesë konsideron se me këtë marrëveshje, partia e Isa Mustafës është dëmtuar.
Për anëtarin e Kryesisë se LDK-së, Muarrem Sfarqa, koalicioni me partinë e Kadri Veselit u bë për të shpëtuar vendin.
Ai shprehet i bindur se kjo marrëveshje nuk e dëmton në elektorat LDK-në, pasi siç shprehet ai elektorati i kësaj partie është i disiplinuar dhe nuk lëviz, transmeton Indeksonline.
“Hyrja në koalicion me PDK-në nuk na ka dëmtuar. Koalicioni me PDK-në, ka qenë për shpëtimin e shtetit. LDK në historinë e sajë ka traditë shtetësinë, institucionalizimin dhe shtetin. Nuk ka asnjë arsye të jetë asnjë shqetësim”, ka thënë Sfarqa për Indeksonline.
Koalicioni me PDK-në, sipas tij, ka ndodhur edhe më parë dhe LDK nuk ka rënë në elektorat. LDK, thotë ai se edhe kur i ka fituar 70% të votave është treguar zemërgjere dhe ka hyrë në koalicion siç shprehet ai për ta bërë shtetin.
Koalicionin më PDK-në nuk e kanë përkrahur disa deputetë të LDK-së. Vjosa Osmani, Arben Gashi, Armend Zemaj, e Anton Quni, janë vetëm disa nga deputetët e kësaj partie që nuk e patën votuar Isa Mustafën për kryeministër.
Kundër këtij koalicioni janë edhe disa degë dhe nëndegë të kësaj partie në nivel vendi.
Ditë më parë në një intervistë për mediet, deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka deklaruar se vendi është dëmtuar shumë nga koalicioni PDK-LDK.
“Anëtarësia e LDK-së është brum politik krejtësisht tjetër nga partitë tjera politike. Ky dëm që i është bërë vendit mund të kompensohet me politika të reja”, ka thënë deputetja Tërmkolli.