Këshilli Organizativ për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka pranuar, pasi e kanë parë logon e kompanisë gjermane, se ka ngjashmëri të pjesshme me logon e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por sipas tyre shumë logo në botë kanë ngjashmëri mes vete, mirëpo kjo nuk e zbeh domethënien e tyre.
“Ngjashmëritë e pjesshme besojmë se janë rastësore dhe nuk kanë asnjë lidhje të qëllimshme me atë logo apo edhe me logo të tjera. Ka shumë logo në botë që mund të kenë ngjashmëri më njëra-tjetrën, por kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh domethënien e tyre. Kjo logo është përzgjedhur, pasi përputhet me shumë elemente simbolike të përvjetorit të 10 të pavarësisë. Ajo i posedon ngjyrat zyrtare, që janë ngjyra e kaltër, ngjyra e artë dhe e bardha, të cilat i përkasin edhe flamurit tonë shtetëror. Forma e logos, me dy duar të hapura dhe dhjetë gishta, simbolizon ditëlindjen e dhjetë. Pjesë e saj janë gjithashtu edhe elemente të hartës së Kosovës, ku përreth saj me gjashtë vija janë përfshirë në mënyrë simbolike edhe gjashtë grupimet etnike më të mëdha që jetojnë në Kosovë, derisa dy vijat vertikale në mes të logos nënkuptojnë skaje të hartës sonë. Për më tepër, lo goja e 10 vjetorit, nëse shohim mes gishtave, ka edhe formën e fishekzjarrëve, prandaj ka shumë elemente dalluese mes tyre, përkundër ngjashmërisë së duarve të hapura”, ka thënë Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë.
Pas bërjes publike të logos për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë disa dizajnerë kanë bërë publike në Facebook për ngjashmërinë e logos.
Logoja që përngjan me logon për shënimin e pavarësisë është e kompanisë turistike gjermane “Schauinsland Reisen”, e themeluar në vitin 1918.