Sëmundjet e zemrës në rritje

Zyrtarë shëndetësorë i kanë radhitur sëmundjet kardiovaskulare si shkaktarin kryesor të vdekjeve në Kosovë, megjithëse nuk ka një sistem të referimit shëndetësor dhe as statistika të sakta për sëmundjet.

Bazuar në pohimet e zyrtarëve shëndetësorë në Kosovë, numri i qytetarëve me problemet shëndetësore me zemrën është në rritje çdo vit dhe rrjedhimisht edhe numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiu, i tha Radios Evropa e Lirë se tendenca e rritjes së numrit të qytetarëve me problemet shëndetësore me zemër është e pranishme edhe gjatë këtij viti.

‘’Sa i përket statistikave në klinikën tonë, vitin e fundit ka qenë 1370 pacientë që kanë realizuar koronografinë dhe edhe 470 stentime. Këtë vit vërehet e njëjta frekuencë, derisa 100 operacione të zemrës janë realizuar në kardiokirurgji. Por është minimumi i rasteve që ne kemi kryer”, tha Sejdiu.

Të paktën 17 milionë njerëz në botë vdesin çdo vit nga sëmundjet e zemrës, flasin shifrat zyrtare të institucioneve shëndetësore.

Profesionistët shëndetësorë thonë se pjesa më e madhe e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalohet nëpërmjet adresimit të qartë të rrezikut, si duhanpirja, dieta jo e shëndetshme dhe obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i alkoolit.

Basri Sejdiu thotë se trajtimi i pacientëve me sëmundje kardiovaskulare në Kosovë ka shënuar përparime brenda viteve me, siç pohon, “funksionalizimin e kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë”.

Megjithë faktin e trajtimeve të sëmundjeve nga mjekët kosovarë, Organizata Bootërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Kosovë pak është bërë në ruajtjen e shëndetit publik.

Udhëheqësi i OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet e vendit nuk kanë arritur të vendosin respektim të plotë të, siç e përmendi, ligjit të duhanit, që ndikon drejtpërdrejt në sëmundjet kardiovaskulare.

”Institucionet duhet të adresojnë faktorët e rrezikut dhe individët duhet pastaj vetë të kujdesen për shëndetin. Institucionet duhet zbatojnë ligjet, si ai për kontrollin e duhanit, e që mbron shëndetin public. Mendoj se nuk janë duke bërë sa duhet në këtë drejtim’’, ka thënë Syla.

Sipas tij, minimizimi i faktorëve të rrezikut bëhet kryesisht nga vetë individët, përmes “një jete më të rregullt dhe ushqimi më të shëndetshëm, por njëkohësisht edhe aktiviteve fizike dhe kontrolleve të rregullta mjekësore”.

Profesionistët shëndetësorë thonë se në shtimin e numrit të pacientëve me probleme kardiovaskulare kryesisht dominon infarkti akut, si patologjia më e shpeshtë dhe më vdekjeprurëse në Kosovë, siç ndodh edhe në vendet tjera të zhvilluara dhe ato në zhvillim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme