Shtëpia e Bardhë ka gjasa të vendoset përsëri para pyetjeve për të tretën ditë radhas sot, ndërsa del në treg libri i bujshëm “Zjarr dhe furi” për vitin e parë të presidencës së Donald Trumpit. Autori i librit tha në një intervistë se thirrjet e presidentit për të ndalur botimin e librit, po e ndihmojnë të shesë më shumë kopje të tij.
Në librin me 336 faqe, autori Michael Wolff e përshkruan presidentin Donald Trump si një burrë-fëmijë të padisiplinuar, që nuk donte t’i fitonte zgjedhjet. Presidenti tha në Twitter se libri është plot me “gënjeshtra, keqinformime dhe burime joekzistente”.
Autori Wolff tha sot se kishte folur me zotit Trump që nga inaugurimi dhe ishte “i qetë” për çdo gjë që kishte shkruar në libër.
Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, drejtuesi i fushatës së zotit Trump në periudhën e fundit të saj në vitin 2016, citohet gjerësisht në libër.
Në segmentin më të debatueshëm të librit, Bannon citohet të thotë se e kishte parë si “tradhti” dhe “jopatriotik”, faktin që djali i madh i Presidentit Trump, Donald Trump, Jr., së bashku me dhëndrin Jared Kushner, që tani është këshilltar në Shtëpinë e Bardhë dhe ish-menaxherin e fushatës, Paul Manafort, u takuan me rusët në mes të fushatës, në Kullën Trump në Nju Jork.
Një avokat i presidentit u përpoq të bllokonte botimin e librit, duke e konsideruar shpifës dhe denigrues.
Ekipi ligjor i Trump i dërgoi gjithashtu një letër Bannon, ku kërkonte që ai të mos bëjë më komente shpifëse për Trump dhe familjen e tij.