Komisioni i formuar nga Ministria e Arsimit për përgatitjet për testin PISA 2018, që do të mbahet në fund të prillit, po punon intensivisht për të vetëdijesuar nxënësit për rëndësinë e këtij vlerësimi. Edhe pse, nuk pritet ndonjë rezultat i lartë, megjithatë komisioni thotë se pritet shkallë më e lartë e rezultatit krahasuar me vitin 2015.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën se janë duke u bërë përgatitje në mënyrë që mësimdhënësit dhe nxënësit të njoftohen dhe ta marrin me shumë seriozitet mbajtjen e testit PISA. Nuk presim ndonjë ndryshim të lartë në ngritjen e rezultatit krahasuar me rezultatet e herës se kaluar, tha Kadriu.
“ Mendoj se nuk mund të bëhet ndonjë mrekulli e madhe, por unë konsideroj që mjafton me marrë me një seriozitet të gjithë, një lëvizje pozitive nga ajo që është realizuar në 2015. Personalisht pres që diku 30 pikë, që në PISA konsiderohet ngritje për një klasë, që për mua kishte me qenë e pritshme. Dhe besoj që diku aty do të sillemi,edhe pse nuk pritet ndonjë ngritje ku me ditë sa” , tha Kadriu.
Ndërkaq, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka bërë të ditur se është themeluar një komision që do të merret me përgatitjet e nxënësve dhe mësimdhënësve, në mënyrë që ketë herë rezultatet e testit PISA të jenë me të larta dhe që nxënësit të familjarizohen me testin që do t’i nënshtrohen.
“ E kemi formuar një komision të veçantë që do të merret me testin PISA 2018. Ky komision tani ka bërë një plan dinamik që deri në datën e mbajtjes se testit PISA 2018, planifikojmë që minimum t’i mbajmë dy teste në të gjitha shkollat e Kosovës. Ky test para provues para se të bëhet testi final i ka dy qëllime: e para që t’i ngritëm vetëdijesimin e përgjithshëm të nivelit komunal të drejtorëve të shkollave, por edhe nxënësit t’i familjarizojmë me testin”, tha Bytyqi.
Anëtari i komisionit, Zeqir Veselaj, tha se për rezultatet e testit PISA nuk duhet të fajësohen vetëm mësimdhënësit apo nxënësit, por, siç tha, duhet të mobilizohet e tërë shoqëria dhe të gjithë mekanizmat përkatës, për të përmirësuar gjendjen në sistemin arsimor.
“ Për t’u ngritur në PISA duhet përgatitje shumë me afat gjatë se sa dy vjet, nuk mund të përmirësohet sistemi për kaq shpejt. PISA dhe rezultati i tij nuk duhet të ndezë, themi figurativisht, vetëm ministrinë, por duhet të ndezë të gjithë mekanizmat e shoqërisë, që nga prindërit në shtëpi, sepse lehtë është të thuhet që vetëm mësuesit e kanë fajin, janë vetëm një shkallë se ku ndodhemi dhe shkallë e cila duhet të mobilizojë të gjitha segmentet e shoqërisë nëse duam të ndryshojmë”, tha Veselaj.
Testi i parë që do organizojë komisioni i formuar nga Ministria e Arsimit do të përfshijë të gjitha shkollat e Kosovës, ndërsa i dyti do të mbahet vetëm në shkollat e përzgjedhura për testin final PISA 2018.