11 princër përfunduan në pranga pas një proteste në Pallatin Mbretëror në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad.
Princërit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj një urdhri të fundit, i cili ndalonte pagesat e bëra prej shtetit pjesëtarëve të familjes mbretërore me qëllimin që të mbulohen faturat e tyre të ujit dhe energjisë elektrike, transmeton tch.
Një kërkesë tjetër e tyre ishte kompensimi për ekzekutimin e një kushëriri të dënuar për vrasje në 2016-ën. Edhe pse ju bë e qartë se të tilla pretendime ishin të paligjshme dhe nuk do të plotësoheshin, princërit refuzuan të largohen duke prishur kështu qetësinë dhe rendin publik.
Në bazë të këtij arsyetimi, ata u dërguan në burgun Al-Hayer, në jug të kryeqytetit.
Në deklaratën e nxjerrë nga autoritetet përkatëse shpjegohet se në Arabinë Saudite askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë shtetasit trajtohen si të barabartë.
Para dy muajsh, me dhjetëra pjesëtarë të familjes mbretërore, biznesmenë e zyrtarë të lartë qeveritarë vendas u prangosën në vazhdën e një hetimi të gjerë kundër korrupsionit.